E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të shtunën finalja e Botërorit të klubeve

BARCELONE- Barcelona dhe Estudiantes do të përballen ditën e shtunë në orën 17 në finalen e Botërorit për klube. Katalanasit e Guardiolës kërkojnë të mbyllin në mënyrën më të mirë një vit ku kanë fituar gjithçka, duke nisur nga Liga e Kampioneve, kampionati, Kupa e Mbretit e deri te Superkupa e Evropës dhe Superkupa e Spanjës. Megjithëse një prej klubeve më të mëdha të planetit, Barcelona nuk e ka fituar asnjëherë Botërorin e klubeve apo edhe trofeun e mëparshëm, Kupën Interkontinentale. “Estudiantes është një skuadër shumë e fortë argjentinase, kështu që nuk do të jetë aspak një ndeshje e lehtë”, deklaroi sulmuesi Zllatan Ibrahimoviç. Barcelona fitoi 3-1 ndaj meksikanëve të Atlantes në gjysmëfinalen e zhvilluar të mërkurën, ku edhe njëherë protagonisht ishte Lionel Mesi. “Për mua është speciale të luaj ndaj një skuadre argjentinase”, deklaroi Mesi. Edhe pse është nga Argjentina, ai nuk ka luajtur kurrë kundër një ekipi të vendit të tij, pasi që i vogël shkoi në Spanjë te Barcelona. Ndërsa trajneri Pep Guardiola u shpreh se do të jetë një përballje titanësh. Në krahun tjetër, Estudiantes kërkon të bëjë historinë duke mundur atë që për momentin shihet si skuadra më e fortë e botës. Fituesja e Kupës Libertadores mundi në gjysmëfinale koreanët e Pohang, një ndeshje që shkaktoi shumë polemika për shkak se aziatikët e mbyllën takimin me 10 vetë. Kapiteni i Estudiantes Huan Sebastian Veron deklaroi para këtij takimi se fitorja ndaj Barcelonës nuk është një gjë që ndodh përditë. “Nuk është njësoj si të fitosh një trofe të zakonshëm, nuk do të ketë një tjetër ditë si kjo”, deklaroi argjentinasi. Për Veron, mungesa e mesfushorit Iniesta është një avantazh për Estudiantes. Trajneri Alehandro Savela deklaroi se skuadra duhet të japë maksimumin nëse pretendon të fitojë, ndërsa pranoi se Barcelona është super favorite për të marrë trofeun. Një tjetër ndeshje të shtunën është ajo për vendin e tretë mes Atlantes dhe Pohang. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›