Kosovë, vendimi i gjykatës: S’ka rivotim në Gjilan
PRISHTINE- Gjykata e Lartë e Kosovës ka hedhur poshtë vendimin e KZAP-it për ripërsëritje të zgjedhjeve në Gjilan. Vendimi për anulim është marrë të martën, nga kolegji gjyqësor me përbërje Vjosa Nimani – Zylfiu, kryetare, Xhyran Dema dhe Shahdane Agani, anëtarë. “Anulohet vendimi i Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa me numër 508/2009, të datës 19 dhjetor 2009, vetëm në pjesën në të cilën është udhëzuar KZQ të urdhërojë përsëritjen e votimeve për kryetar komune në Gjilan”, thuhet në vendimin e trupit gjykues. Sipas vendimit, Gjykata e Lartë ka konstatuar, se aktvendimi i kundërshtuar përmban të meta të tilla, për shkak të të cilave nuk mund të shqyrtohet ligjshmëria e tij, këto të meta qëndrojnë në shkeljen thelbësore të dispozitës së nenit 84.2c të Ligjit të procedurës administrative. Padia ndaj vendimit të KZAP-it është ngritur nga kandidati i PDK-së në Gjilan, Qemajl Mustafa, i cili në dy raundet zgjedhore është votuar më shumë se kundërkandidati i tij nga LDK, Fatmir Rexhepi. Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta ka thënë të martën se nuk mund të përgjigjet sa i përket vendimit të Gjykatës së Lartë, ngqë një vendim i tillë ende nuk ka ardhur në KQZ. Lushta ka theksuar se në momentin kur vendimi nga Gjykata Kushtetuese do të vijë në KQZ, ajo do t’i njoftojë anëtarët e KQZ-së.(m.a/express/BalkanWeb)