E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, veteranët e UÇK-së i rikthehen grevës

Veteranët e luftës së UÇK-së, në Kosovë jo vetëm që janë shprehur të pakënaqur me përmbajtjen e draftit të ligjit për vlerat e luftës, por ata ndjehen të tradhtuar nga Qeveria, sepse disa ndryshime janë bërë pa miratimin e tyre.
 

Veteranët i kanë drejtuar vërejtjet e tyre qeverisë dhe kanë deklaruar se nëse këto nuk do të plotësohen, ata do i rikthehen grevës dhe protestave. Këto kanë qenë deklaratat e të gjitha shoqatave të dala nga lufta, një ditë pas miratimit të projektligjit në qeveri.
Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së dhe atij grevistë, ka thënë për një të përditshme kosovare se ky projektligj do të pranohet nga veteranët vetëm nëse në të përfshihen vërejtjet e dhëna nga ky këshill.

Një draft i këtij projektligji, i cili iu është dorëzuar për lexim këtyre veteranëve para 10-15 ditësh, sipas Qeriqit, nuk realizon kërkesat e tyre në tërësi.

Ai ka thënë se janë dorëzuar disa vërejtje me shkrim në adresë të komisioneve dhe grupeve parlamentare, që para se të dalë për miratim të përfshihen. Në të kundërtën, nëse këto vërejtje nuk përmirësohen nga komisionet, Qeriqi ka theksuar se nuk do të pranohet projektligji.

Një nga vërejtjet kryesore, që sipas tij, është tepër absurde të vendoset me ligj pa u përmirësuar, është mosha e një veterani të përcaktuar 50-vjeç për të marrë pagën e pensionit të veteranit si dhe mospërcaktimi i shërbimit shëndetësor.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›