E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, veteranët e UÇK-së sulmojnë institucionet. Qeveria: Sulmi antishtetëror

30 ish-pjestarë të UÇK-së protestuan përpara Kuvendit

Blerina Olldashi
Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj sulmit me koktej molotovi mbi institucionet e Kosovës nga ana e grupit të veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke vlerësuar se, ata nuk përfaqësojnë asgjë tjetër, “përveçse axhendat interesngushta, antishtetërore dhe jodemokratike”. “Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emër të qytetarëve tanë, u bëjmë me dije atyre që e kanë inspiruar, përgatitur dhe organizuar këtë sulm me bomba e koktej molotovi se pushteti nuk fitohet me kërcënime e dhunë, por me vullnetin demokratik të qytetarëve tanë”,- thuhet në reagimin e Qeverisë. “Askush nuk do të mund të ngrihet dhunshëm mbi vullnetin e lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës” - thuhet mes tjerash në komunikatën për media të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pas sulmit që është bërë të enjten kundër institucioneve të Republikës së Kosovës. Qeveria po ashtu thekson se është e drejtë e garantuar e çdo individi dhe grupi qytetar që të protestojë për çështje të ndryshme, por askush nuk mund të jetë mbi ligjin. “Askush nuk ka të drejtë dhe nuk do t’i lejohet që të sulmojë institucionet e Republikës së Kosovës, të ndërtuara me gjak, djersë dhe mund të të gjithë qytetarëve të vendit tanë”. “Sulmi me bomba ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, nga ana e individëve të caktuar me motive politike dhe antishtetërore është i dënueshëm dhe do të marrë ndëshkimin e merituar ligjor dhe qytetar”,- theksohet në reagim. Veteranët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u revoltuan duke hedhur bomba molotov në oborrin e godinës së qeverisë së Kosovës dhe në oborrin e Kuvendit. Protesta e veteranëve ka qenë fillimisht paqësore, por më pas gjithcka është tensionuar. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti, tha se në oborrin e kryeministrisë janë hedhur edhe dy mjete të tjera të dyshuara, lloji i të cilave do të përcaktohet nga ekipet speciale të KFOR-it. Sipas Besim Hotit, një pjesë e punonjësve të qeverisë janë evakuar nga pjesa e pasme e godinës. Por më vonë ata janë rikthyer sërish në punë. Protestuesit më pas u shpërndanë. Veteranët e ish-UÇK-së e kanë nisur protestën para dy ditësh, për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj mungesës së përkushtimit të institucioneve të Kosovës për ish luftëtarët e UÇK-së. Gjatë ditës së djeshme protestuesit i kishin dhënë ultimatum institucioneve të Kosovës që urgjentisht të fillonin implementimin e Ligjit të vlerave të dala nga lufta e UÇK-së, ose në të kundërtën do të filloin me radikaizimin e protestës. Të gjithë veteranët u mbledhën në udhëkryqin e rrugës “Agim Ramadani” përballë Kuvendit të Kosovës ku dy netë i kanë kaluar në rrugë. Më herët grupi prej afro 30 ish-ushtarësh u shprehën se do të qëndronin aty deri në përmbushjen e kërkesave të tyre që kanë të bëjnë me zbatimin e Ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së, përkujdesje për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës.

Bullgari, Presidenti mandaton Borisovin për formimin e Qeverisë

Boiko Borisov, partia e të cilit, fitoi zgjedhjet parlamentare në Bullgari ka pranuar të bëhet kryeministri i vendit. Partia e tij e qendrës së djathtë Gerb fitoi zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan më 5 korrik. Borisov premtoi se do t’i japë fund klimës së mosndëshkimit dhe dhënies fund së zmbrapsjes së përzgjatur ekonomike. Presidenti Georgi Parvanov i ngarkoi 50 vjeçarit Borisov, kryetarit të bashkisë së Sofies dhe ish-truprojës, mandatin për të formuar qeverinë e re të Bullgarisë brenda 7 ditësh. Gerbi fitoi zgjedhjet me 40 për qind të votave, por nuk arriti të merrte maxhorancën absolute në parlament pasi i mungonin 5 deputetë. Borisov tha se objektivi i partisë së tij është që të formojë një qeveri të vogël, por me mbështetjen e partive të djathta, por të cilave nuk i ka garantuar asnjë ministër. Drejtuesit e Gerbit kanë marrë konsensusin për projektin e tyre që në kabinetin qeveritar të jenë ekonomistë që janë rritur në perëndim dhe reformistë. Simeon Djankov, një ekonomist i Bankës BOtërore, ndoshta mund të jetë ministri i ardhshëm i Financave.

Vritet aktivistja në Çeçeni, Medvedev dënon aktin

Presidenti rus, Dmitri Medvedev ka shprehur indinjatë për vrasjen e një aktivisteje ruse për të drejtat e njeriut, e cila kishte dokumentuar shkeljet e tyre në Çeçeni. Trupi i aktivistes, Natalia Estemirova, me plagë të shkaktuara nga armë zjarri, u gjet disa orë pasi u rrëmbye në kryeqytetin çeçen, Grozny. Estemirova po mblidhte dëshmi për diegien e shtëpive në Çeçeni nga grupe paraushtarake, të cilat gëzojnë mbështetjen e Moskës. Ajo ishte mike e ngushtë dhe bashkëpunëtore e gazetares së vrarë ruse, Ana Politkovskaya. Në Uashington, Shtëpia e Bardhë ka thënë se ishte e trishtuar nga lajmi dhe ka bërë thirrje që personat përgjegjës për vrasjen e saj, të dalin para drejtësisë. Vetëm disa orë më parë, aktivistja 50-vjeçare e të drejtave të njeriut, kishte arritur t’u tërhiqte vëmendjen me britma kalimtarëve të rastit, teksa po futej me zor në një makinë të panjohur jashtë shtëpisë së saj. Estemirova dhe Politkovskaya kanë hetuar rrëmbime, torturime dhe vrasje të jashtëligjshme nga ana e forcave ruse në luftën kundër kryengritjes islame në Çeçeni.

17 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›