Kosovë, vijon procesi për rastin Kleçka

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka vazhduar edhe sot procesi për konfirmimin e aktakuzës ndaj nënkryetarit të PDK-së, njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, Famir Limaj dhe 9 ish- luftëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për kinse krime të kryera gjatë luftës në fshatin Kleçkë të Lipjanit.
Që në fillim të seancës së sotme, gjykatësi i rastit në fjalë i bëri të ditur palës mbrojtëse se kur ishte marrë vendimi për fillimin e hetimeve për rastin Kleçka. Këtë të dhënë e kishin kërkuar dje avokatët e të akuzuarave të prokurorisë. Gjyqtari tha se hetimet për këtë rast kanë filluar që nga muaji shkurt i vitit 2010, deri në muajin gusht të këtij viti.
Sipas avokatëve, këto dokumente duhet të dorëzoheshin me rastin e ngritjes së aktakuzës dhe jo tani gjatë procesit gjyqësor. Ata theksuan se sikurse dje edhe sot nuk kanë qenë të barabartë dhe kërkuar që të kenë qasje në dokumentacione. Kurse prokurori italian, Maorizio Salustro, i cili ka ngritur aktakuzën ndaj 10 ish- luftëtarëve të UÇK-së, tha se avokatët kanë pasur mundësi që të qasen në dokumentacion, por jo edhe ti fotokopjojnë ato dhe t`i marrin me vete. Lidhur me këto kundërshtime mes palës mbrojtëse dhe prokurorisë, gjyqtari i rastit tha se do të jap një përgjigje më vonë gjatë procesit.
Kështu ka përfunduar seanca e paradites, ndërsa punimet do të vazhdojnë pasdite. Pritet që pasdite prokurori të jap argumentet e tij për ngrije të aktakuzës, kurse pala mbrojtëse t`i kundërshtoj ato dhe mandej gjyqtari i rastit mund të vendos pro ose kundër akuzës për rastin Kleçka. Deputeti Fatmir Limaj, ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, për krime të supozuara në Llapushnik, ndërsa tashti pritet që të gjykohet për krime që, sipas prokurorive ndërkombëtarë janë kryer në fshatin Kleçkë.