E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë/Dell: Korrupsionin duhet ta luftoni vetë

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, ka kërkuar që korrupsioni të luftohet nga kosovarët dhe të mos pritet gjithçka nga ndërkombëtarët.
Komentet e Dellit vijnë pak ditë pasi që institucionet u kritikuan për mosluftimin e korrupsionit nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
"Shoqëria juaj ende shikon drejt bashkësisë ndërkombëtare për të kërkuar drejtësi. Nëse ju vareni në ne, që ne të bëjmë atë thirrje - kjo nuk do të jetë e shëndetshme për Kosovën. Kjo është shenjë e moszhvillimit. Kjo thirrje duhet të vijë nga brenda, nga njerëzit", ka thënë Dell me rastin e fillimit të trajnimit për task-forcat kundër trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të drogave dhe korrupsionit publik.
Ambasadori amerikan ka përçuar mesazhin se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Ai ka theksuar se sundimi i ligjit duhet t'iu mundësojë qytetarëve qasjen në drejtësi dhe është shenjë se ku është Kosova dhe ku duhet të shkojë. Ai ka kërkuar një bashkëpunim më të ngushtë mes hallkave të gjyqësorit, në mënyrë që besimi i qytetarëve në këtë sistem të rritet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›