Kosovë:Dy marrëveshje me Serbinë në Nëntor
Grupet e ekspertëve nga Kosova dhe Serbia në takimin e ndërmjetësuar nga BE, kanë rënë dakord në Bruksel për datat e zbatimit të marrëveshjeve për lëvizjen e lirë dhe dokumentet kadastrale.
Sipas një deklerate për mediat e Kosovës “lidhur me marrëveshjen për kthimin e dokumentacionit kadastral, ekspertët e të dyja vendeve kanë rënë dakord që më 20 nëntor 2011 ta aprovojnë planin për implementim, dhe po ashtu të fillojë me zbatimin e plotë të kësaj marrëveshje”.
Me këtë marrëveshje, Serbia merr përsipër t’i kthejë dokumentet kadastrale të marra nga Kosova gjatë luftës.
Ndërsa, Kosova, thuhet se do të kompletojë sistemin e vet për zotërimin e pronave si dhe në mënyrë të veçantë t’i zgjidhë çështjet kontestuese kadastrale sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe standardeve evropiane.
Ndërkaq, sipas njoftimit të qeverisë, në takimin për zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë kanë ndarë të njëjtin mendim mes palëve rreth planit të zbatimit.
“Qeveria e Kosovës në këtë takim konfirmoi se i ka përmbyllur gjitha përgatitjet e nevojshme për zbatimin e kësaj marrëveshje. Po ashtu u konfirmuan përgatitjet që me 1 nëntor në Kosovë të fillojë zbatimi i asaj pjese të marrëveshjes për heqjen nga përdorimi i tabelave ilegale të automjeteve dhe zëvendësimi me ato legale”, thuhet në komunikatë.
Gjatë këtij takimi thuhet se u diskutuan edhe modalitetet e zbatimit në praktikë, duke sqaruar se ditët në vijim paraqesin kohën e fillimit të zbatimit.
Kosova ka nisur dialogun për çështje teknike me Serbinë në muajin mars të këtij viti. Që nga ajo kohë nën ndërmjetësimin e BE-së janë arritur pesë marrëveshje, por zbatimi i tyre ka shënuar ngecje.