Kosovë/Kelmendi: Gjykatat paralele në veri, të paligjshme
Autoritetet në Kosovë e kanë cilësuar si të paligjshëm emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në Gjykatën në veri të Mitrovicës nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në Beograd. Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi e cilësoi vendimin e Serbisë si ndërhyrje të rëndë në punët e brendshme të Kosovës.
Në një intervistë për BBC-në Kelmendi theksoi se gjykatat paralele në veri të Mitrovicës janë të paligjshme dhe çdo vendim i tyre nuk do të zbatohet në territorin e Kosovës.
Qëndrimi i autoriteteve në Prishtinë pasoi një vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor të Serbisë në ditën e fundit të vitit të kaluar për betimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë për Gjykatën në veri të Mitrovicës, e cila do të ketë degët e saj edhe në trevat e tjera serbe.