E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë,Limaj kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë

Fatmir Limaj deklaron se raporti i Dik Martit ka cenuar rëndë sigurinë e Kosovës, dhe për këtë arsye kërkon mbledhjen e këshillit të Sigurisë për të diskutuar çështjen.
Ministri në largim i Transporteve dhe Postë-Telekomunikacioneve, gjatë një interviste për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, kërkoi nga të gjithë mekanizmat shtetërorë të nisin një hetim të gjithanshëm në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare për të zbardhur akuzat e Martit.

“Ajo që po dua të them është hetime, përfundimisht hetime! Ky vend duhet të lirohet nga kjo zorrë nëpër këmbë. Ky shtet i ri nuk guxon të ecë duke pasur këtë pengesë. Hetime! Kush më shumë interes se Kosova nuk ka nga hetimet”, deklaroi Limaj gjatë emisionit.

Sipas tij, hetimet duhet të bëhen në dy drejtime: “Së pari, duhet të ketë reagim shtetëror. Shpresoj shpejt se pas formimit të qeverisë, kryeministri dhe presidenti i ardhshëm do të thërrasin Këshillin Nacional të Sigurisë, sepse është prekur siguria nacionale e këtij vendi”.

Limaj ka kërkuar ndarjen e një fondi për të mundësuar hetime të gjithanshme. Sipas tij, në këto hetime duhet të përfshihet edhe kryeprokurori i Kosovës, duke kërkuar mbështetje logjistike dhe profesionale nga institucionet më të njohura të Amerikës, nga FBI-ja, kompani private të FBI-së dhe ato britanike.

“Duhet të kërkohet nga Këshilli i Evropës një grup hetuesish dhe të hetohet deri në fund, por me njerëz të pavarur, të cilët garantojnë një hetim të pavarur dhe profesional, dhe Kosova duhet të japë një mbështetje të fuqishme në këtë drejtim, por edhe Shqipëria”, ka kërkuar ministri Limaj, i cili është akuzuar nga Marti se i takon “një bande kriminale nga Drenica, me në krye Hashim Thaçin”.

Limaj ka kërkuar po ashtu edhe një takim ndërmjet krerëve të Kosovës dhe Shqipërisë për të krijuar një ekip të përbashkët për hetime, pasi sipas tij, është cenuar edhe siguria e Shqipërisë.

“A e dini ju që sot Beogradi me dokumentacionet e veta mund t’i përdorë, mund të na akuzojë, ndërsa kryeprokurori i Kosovës ende nuk e di se çfarë dokumentacionesh ka për atë punë në dosjet e EULEX-it. Ky vend është i pavarur. Kryeprokurori i Kosovës duhet të kërkojë gjithë atë dokumentacion, të gjitha ato informacione, thashetheme gjithçka që ka lidhje me këtë rast duhet të lihet në dispozicion të institucioneve hetuese të Kosovës, sepse ne duhej t’ia nisnim një hetimi të pavarur nga Këshilli i Evropës”, ka vazhduar Limaj.

Ai ka thënë se për kryerjen e këtyre hetimeve nuk duhet të kursehen paratë për zbardhjen e këtyre akuzave skandaloze.

Por sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, anëtar i së cilës është edhe Fatmir Limaj, mbledhja e Këshillit të Sigurisë nuk shihet e nevojshme.

“Këshilli i Sigurisë i ka takimet siç parashihet me ligjet, Kushtetutën në fuqi, dhe normalisht do t’i mbajë takimet siç i parasheh ligji”, ka thënë Krasniqi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›