Kosovës t’i krijohen lehtësi në rrugën drejt integrimit evropian

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Khaldun Sino, i ka dorëzuar të premten kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, Raportin e Progresit, i cili është publikuar para dy ditësh nga ana e Komisionit Evropian në Bruksel.
Me këtë rast, Sino, mbështetur në faktin se Kosova ka agjendën e vet të zhvillimit dhe të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, shprehu gatishmërinë e Komisionit Evropian që të ndihmojë në realizimin e këtyre synimeve.
Ndërsa, kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka kërkuar që Kosovës t’i krijohen lehtësi në rrugën drejt integrimit evropian.
“Për Kosovën nuk ka alternativë tjetër pos anëtarësimit në BE”, ka thënë ai.
Duke u ndërlidhur me këtë çështje, Sino tha se procesi i integrimit është i vështirë, por i arritshëm.