Lama i kërkon Qeverisë zëdhënës
Pyetjen e njëjtë deputetja Lama e kishte shtruar edhe në seancën e fundit, por kryeministri mungoi, ashtu siç mungoi edhe në seancën e sotme, kur deputetja Lama e shtroi këtë pyetje.
Deputetja Lama ka thënë se mungesa e zëdhënësit është pengesë për gazetarët, andaj ajo këtë shqetësim të gazetarëve e ka ngritur në Kuvend, duke kërkuar të dijë pse nuk ka zëdhënës.
Madje, Lama ka vlerësuar se mosemërimi i zëdhënësit bëhet në mënyrë të qëllimshme, për të penguar punën e gazetarëve, përderisa ka vënë në dukje tendencën për ndërhyrjen e politikës në media.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se kryeministri do ta emërojë shumë shpejt një zëdhënës.
“Unë nuk them asnjë rast që mungesa e zëdhënësit është pozitive, përkundrazi do ta marrim obligim që ta gjejmë një zëdhënës që të jetë i pranueshëm nga mediat, por edhe për politikat e Qeverisë”, ka thënë Kuçi.
Zëvendëskryeministri Kuçi i ka rikujtuar deputetes Lama se ndërhyrja e politikës nuk nënkupton vetëm ndërhyrjen e Qeverisë, ngase siç ka thënë ai, kur flitet për politikën nuk bëhet fjalë vetëm për Qeverinë, por edhe për opozitën.
Ai ka rikujtuar me këtë rast se Qeveria e Kosovës mban mbledhje të hapura dhe pas çdo mbledhje ai ose dikush tjetër del në konferencë. Në këtë mënyrë, Kuçi ka thënë se ka mjaft transparencë nga ana e Qeverisë.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës që nga formimi i saj, nuk ka zëdhënës, përderisa këtë detyrë e kryen zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ndërsa në raste të caktuara edhe këshilltarët e resorëve të ndryshëm.