E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi nuk ka menduar të kandidojë për president

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për Rubikon në Koha Vision ka thënë se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm. Ai ka siguruar qytetarët e Kosovës se nuk do të këtë ndarje të veriut dhe as bisedime politike.

Sipas kryeministrit, nuk do të këtë Ahttisari plus, nuk do të këtë autonomi të veçantë të Veriut, nuk do të këtë administrim ndërkombëtarë...Kosova do të jetë me kufijtë e tanishëm dhe ata kufij i janë bërë të ditur edhe Serbisë.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës tashmë ka ndarë një buxhet ku synohet zhvillimi socio-ekonomik i Mitrovicës.

Kryetari i PDK-së, njëherësh kryeministër i vendit, Hashim Thaçi, po ashtu ka folur edhe për rastin e nënkryetarit të PDK-së, Fatmir Limaj.

Në lidhje me padinë e paralajmëruar të Limajt kundër Qeverisë së Kosovës, Thaçi ka thënë se nuk dëshiron që ta personalizojë këtë çështje .

“Si kryeministër nuk ndërhyj në sistemin e drejtësisë. Unë kam raporte të mira me të gjithë, jam kryetar i PDK-së dhe kryeminsitër. PDK është e vetmja në rajon që për 12 vite nuk ka pasur plasaritje”, ka thënë Thaçi.

Thaçi në këtë intervistë ka folur edhe për zhvillimet tjera në vend.

Sa i përket emrit të mundshëm të PDK-së për president, ai ka thënë se është ende herët.

“Duhet t’i dëgjojmë opinionet e të gjithëve, kërkohet një debat në parti. Unë nuk kam menduar se a do të kandidojë për mandatin e tretë për kryeministër, sic nuk kam menduar se a do të kandidojë apo jo për president. Unë jam i fokusuar në punët e ekzekutivit”, transmeton fjalët e kryeministrit indeksonline.

Sa i përketë reformatizimit, Thaçi tha se nuk do të këtë ndonjë risi në këtë aspekt.

“Nuk është në agjendën time reformatizimi, sepse mendoj se po bëhet punë e mirë”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›