Kosovrasti: Procesi i ndjekur në KQZ, i rregullt dhe ligjor
Njazi Kosovrasti ka deklaruar dje se procesi është vëzhguar gjatë gjithë kohës nga përfaqësues të PD-së dhe të PS-së
TIRANË Ndryshe nga Partia Socialiste, Partia Demokratike e cilëson të ligjshme dhe të rregullt të gjithë procedurën që aktualisht po ndjek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Përfaqësuesi ligjor i PD-së në këtë komision, Njazi Kosovrasti, ka deklaruar dje se procesi është vëzhguar gjatë gjithë kohës nga përfaqësues të PD-së dhe të PS-së dhe se rezultatet tashmë i janë bashkangjitur tabelave tip, që ka miratuar KQZ-ja.
“Ka qenë një proces që për mua funksionoi shumë mirë dhe në kohë. Gjithçka ishte nën kontroll të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kontrolli më i mirë ishte se në çdo tavolinë kishte dy vëzhgues; një të PD-së dhe një të PS-së, me shumë eksperiencë, dhe që e njohin shumë mirë procesin. Besoj që në pjesën dërrmuese të rasteve me mirëkuptim kanë bërë gjetjen e fletëve në kutinë e gabuar dhe kanë plotësuar tabelën tip, të miratuar nga KQZ-ja, të rezultateve dhe në përfundim të gjitha këto tabela janë të miratuara tashmë dhe pritet që mbi bazën e këtyre të bëhen edhe ndryshimet në tabelat e para të rezultateve”, tha dje Kosovrasti. Nisur nga ecuria e procesit të numërimit të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara, përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ-së shtoi se gjithçka do të përfundojë brenda një kohe tepër të shkurtër. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve filloi dy ditë më parë procesin e hapjes së kutive të numërimit të fletëve të kontestuara në qendrat e votimit të Bashkisë Tiranë. KQZ miratoi me 4 vota pro dhe 2 kundër aktin për hapjen e kutive dhe numërimin e fletëve të hedhura gabim. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, deklaroi dy ditë më parë se numërimi i fletëve të hedhura gabim do të bëhet nga 8 grupe numërimi, ku për çdo grup numërimi, dy partitë e mëdha kanë përcaktuar edhe vëzhguesit e tyre. Deri më tani ka përfunduar procesi për tre njësi minibashkiake. Nga rezultati i deritanishëm, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, është 76 vota para Edi Ramës.