Kosovrasti: Zeneli shkeli ligjin me dashje, kreu vepër penale

Kryetari i Këshillit Bashkiak kallëzim penal për sekretarin Behar Zeneli
Kryetari i Këshillit Bashkiak, Tiranë Niazi Kosovrasti ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzim penal për shpërdorim detyre, për sekretarin e Këshillit Bashkiak, Behar Zeneli. Në kallëzimin penal, Kosovrasti thekson se në shkelje të nenit 36, pika 2, ligji organik, nr. 8652 datë 31.07.2000: “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, më datë 28/04/2013, shtetasi Behar Zeneli, në cilësinë e sekretarit të Këshillit Bashkiak Tiranë ka lëshuar aktin e titulluar: “njoftim”, për zhvillimin e mbledhjes jashtë radhe të Këshillit Bashkiak”. Ligji organik, nr. 8652 në nenin 31, pika 4, përcakton se: “thirrja për mbledhjen e Këshillit bëhet nga kryetari i Këshillit”. Njoftimin, sekretari i Këshillit e bën vetëm pasi Kryetari i Këshillit vendos të thërrasë Këshillin në mbledhje. Ligji ka diferencuar qartë thirrjen e mbledhjes nga njoftimi i saj. “Kjo shkelje e paprecedentë e ligjit është arsyeja që më detyroi t’ju drejtohem Juve, me këtë kallëzim penal. Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Bashkiak Tiranë, mendoj se një precedent i tillë i shkeljes së ligjit me dashje, përbën vepër penale dhe konkretisht veprën e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, atë të shpërdorimit të detyrës” - shkruan në kallëzimin penal Niazi Kosovrasti . Më tej, z. Kosovrasti vlerëson se “me kallëzimin e këtij akti, nuk synoj të dënoj shtetasin Zeneli, por nëpërmjet tij dua të përfshihem në denoncimin e kësaj praktike kriminale të përdorimit të detyrës, në funksion të interesit të partisë dhe jo të shtetit, funksionar i të cilit shtetasi Zeneli është”.