Ceka: “Do ta pranoj postin e nënkryetarit të Kuvendit”
Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike ka deklaruar dje se do të pranojë postin e nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë një interviste të dhënë për një prej televizioneve, Ceka ka bërë të ditur se ai do ta pranojë postin e nënkryetarit të Kuvendit duke e cilësuar këtë post një nder për çdo deputet të Kuvendit të Shqipërisë. Megjithatë, Neritan Ceka nuk e ka lidhur marrjen e këtij posti me bashkimin me Partinë Demokratike. Ai është shprehur se bashkëpunimi ose jo me PD-në do të përcaktohet nga strukturat drejtuese të partisë. “Do ta pranoj postin e nënkryetarit të Kuvendit. Ky post është nder për çdo deputet. Marrja e këtij posti nuk ka lidhje me bashkimin e Aleancës Demokratike me Partinë Demokratike. Bashkëpunimi për koalicionet do të diskutohet dhe do të merret në shqyrtim nga strukturat drejtuese të partisë”, - është shprehur Ceka. Por burimet kanë bërë të ditur se pranimi i postit të nënkryetarit të Kuvendit nga Ceka ka ardhur pas një periudhe negociatash midis palëve, ku natyrisht është përfshirë dhe bashkëpunimi në formën e koalicionit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo tregon se Ceka, me pranimin e postit të nënkryetarit të Kuvendit, firmos bashkëpunimin me të djathtën dhe ndarjen njëherë e përgjithmonë me kampin e majtë. Presidenti i Aleancës Demokratike prej kohësh kishte paralajmëruar kalimin e tij në kampin e djathtë. Madje Ceka nuk mori pjesë as në tryezën e opozitës, të iniciuar nga kryetari i PS-së Edi Rama, ku morën pjesë gjithashtu kreu i LSI-së, Ilir Meta, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, kreu i PDS-së, Paskal Milo dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Neritan Ceka pritet të votohet për të marrë postin e nënkryetarit, post të cilin e ka mbajtur për gati tre vjet e gjysmë Fatos Beja. Ky i fundit u miratua së fundi në postin e ministrit të Arsimit.
30 Shtator 2008