E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arseniku, nis groposja e helmit

 

FIER / MAJLINDA RAMA

Nis ndërtimi i landfillit ku do të groposen mbetjet e arsenikut në ambientet e ish-Azotikut të Fierit. Fillimi i punimeve për "varrezën" e 1500 tonëve arsenik i ka "vënë kapak" të gjitha debateve politike dhe kundërshtive të kahershme të banorëve të zonës, për rrezikun mjedisor që paraqiste landfilli.
E ndërkohë punimet e nisura pak ditë më parë kanë kaluar fazën fillestare, banorët e zonës vazhdojnë të pretendojnë rrezikun e lartë që i kanos. Është firma finlandeze "Eko Kem" e cila me fondin prej 1.5 milionë euro do të bëjë të mundur groposjen e lëndës së rrezikshme që deri tani është mbajtur në thasë plastikë në këtë zonë. Në bazë të kontratës së nënshkruar, puna e firmës finlandeze do të finalizohet brenda prillit të vitit 2009, kohë kur mendohet që gjithë sasia e lëndës helmuese duhet të jetë të groposur. Në vite janë përfolur një sërë projektesh për asgjësimin e kësaj lënde, njëri prej të cilëve planifikonte dërgimin e saj në Itali ku do të bëhej edhe asgjësimi. Më vonë doli në skenë projekti për ndërtimin e një landfilli brenda ambienteve të ish-Azotikut, i cili menjëherë hasi në kundërshtimin të banorëve të zonës. Ata protestuan pasi, sipas tyre ndërtimi i landfillit do të dëmtonte gjithë qytetin, madje do të bënte ujin të papijshëm. Sipas drejtorit të kësaj uzine Artan Kalemaj, landfilli që sapo ka nisur të ndërtohet do të jetë një gropë 14 mijë metra katrorë në të cilën do të depozitohet e gjithë sasia e mbetjeve arsenikale. "Deri në këto momente është kryer 30 për qind e gjithë punës që do të bëhet në ndërtimin e kësaj grope", pohoi Kalemaj. Sipas tij, gjithçka po kryhet sipas planifikimeve dhe se izolimi i arsenikut do të kryhet në përputhje me standardet e përcaktuara nga Komuniteti Evropian. Kalemaj sqaroi se në sajë të mënyrave që do po ndiqen garantohet izolimi i sipërfaqes së këtij landfilli, i cili ka një kapacitet të lartë papërshkueshmërie dhe u reziston lëkundjeve të tërmeteve deri në 14 ballë, për në një periudhë 500-vjeçare. Gjithashtu mësohet se në landfill do të groposen dhe të gjitha materialet, të cilat pas shumë vitesh në kontakt me arsenikun mund të jenë kontaminuar. Ndërkohë që banorët e zonës ashtu si herë të tjera kanë ngritur zërin duke hedhur poshtë idenë e specialistëve se nuk ka asnjë rrezik një projekt i tillë. "Kemi pyetur edhe ne specialistë dhe na kanë thënë se është shumë e rrezikshme një gjë e tillë. Nëse duan që të vdesim këtu, le ta ndërtojnë gropën. Dimë që uji mund të helmohet vetëm me një sasi të vogël rrjedhjeve arsenikale", pohoi një prej tyre. Edhe pse nga specialistët është premtuar se kjo lloj groposje është shumë e sigurt, banorët janë mosbesues. "Thanë që do të na merrnin mendimin për këto groposje këtu, por nuk e kanë bërë. Nuk duam gjelbërim të zonës, siç na thonë. Duam të jetojmë të sigurt në vendin ku kemi ndërtuar me mund te djersë shtëpitë tonë", sqarojnë ata ndërkohë që në brendësi të ish-Azotikut ekskavatorë të firmës vazhdonin punën për ndërtimin e landfillit.

Drenovë, një fabrikë lëkurësh ngre banorët në protestë

KORÇE - Ndotja e shkaktuar nga një fabrikë lëkurësh ka çuar dje banorët e fshatit Drenovë të Korçës në dyert e prefekturës së këtij qarku. Ata kanë kërkuar takim me drejtuesit e institucionit për t'i sinjalizuar për ndotjen mjedisore në vendbanimin e tyre. Mësohet se një fabrikë lëkurësh, e ndërtuar dy javë më parë në periferi të fshatit Drenovë po ndot rëndë gjithë mjedisin përreth. Kjo, pasi derdhja e mbeturinave dhe kimikateve bëhet në lumin Drenicë duke shpërndarë kështu erë të rëndë dhe ndotje kimike edhe më gjerë. Vetëm një javë më parë banorët i kanë kërkuar kryetarit të komunës Flamur Sala që të ndërhyjë për të shmangur ndotjen që shkakton fabrika. "Komuna, por edhe Këshilli i Qarkut dhe Prefektura, duhet të ndërhyjnë për të shmangur këtë prishje të mjedisit e ajrit në fshatin tonë. Nëse nuk merren masa ne do të mblidhemi fshatçe dhe do të protestojmë para Këshillit të Qarkut dhe Prefekturës", u shprehën ata. Ndërkohë që nuk dihet nëse pronarët e fabrikës në fjalë kanë siguruar një leje mjedisore nga ministria përkatëse, në degën e Tatim-Taksave në Korçë ajo është regjistruar si biznes dhe ka filluar të likuidojë gjithë detyrimet fiskale.           j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›