E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Projektligji cenon pavarësinë e Gjyqësorit

 

Partia Socialiste reagon e shqetësuar lidhur me pr/ligjin për administratën gjyqësore. Kryetari i Komisionit Ligjor të Asamblesë Kombëtare, Ylli Manjani, në një prononcim për shtyp dje, tha se drafti i qeverisë cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe i jep të drejtë Alibeajt të ndërhyjë në veprimtarinë e gjykatave. "Me projektligjin për administratën gjyqësore, Qeveria bën një tjetër tentativë për të legjitimuar ndërhyrjen e politikës mbi pushtetin gjyqësor. Ky projektligj tenton t'i japë të drejtë ministrit të Drejtësisë të normojë me akte normative veprimtarinë e gjykatave", tha Manjani. Sipas tij, "Sali Berisha dhe qeveria e tij nuk duan të dëgjojnë dhe të kuptojnë se sistemi i drejtësisë ka nevojë për reforma të qenësishme, të thella dhe të plota, e jo për arna në formën e nismave gjysmake, të cunguara profesionalisht dhe të papranueshme parimisht, siç është edhe ky projektligj". Në emër të PS-së, Manjani tha se projektligji është i cunguar profesionalisht dhe i papranueshëm parimisht. Nëpërmjet këtij projektligji, tha Manjani, qeveria nuk synon të ndërtojë një administratë gjyqësore të mirëfilltë në shërbim të publikut e të gjykatës, por synon të mbajë nën mbikëqyrje gjykatat dhe vendimet që ato prodhojnë. Sipas tij, ky projektligj duhet të vinte si ndryshim në ligjin për Statusin e Nëpunësit Civil, ashtu siç sugjerohet me të drejtë edhe nga misioni i ekspertëve të BE-së për reformat në drejtësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›