SHKB, Prokuroria: Ligji të shtyhet
BLEDAR HOTI
Prokuroria e Përgjithshme shprehet kundër shqyrtimit të projektligjit "Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm", duke kërkuar shqyrtimin e një pakete të plotë ligjore për çështjen e hetimit. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit parlamentar të Sigurisë, përfaqësuesja e Prokurorisë, juristja Edlira Kripa, ka kërkuar që të gjitha ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë që po kryhen kohët e fundit, të përfshihen në një paketë integrale.
Kështu së bashku me draftin për SHKB-në, Kripa kërkoi që të shqyrtohen edhe projektligjet mbi Prokurorinë, Kodin Penal dhe Policinë Gjyqësore. Kjo ka hasur në kundërshtinë e drejtorit të SHKB-së, Astrit Halilaj. Sipas tij, projektligji i paraqitur në Komisionin parlamentar të Sigurisë nuk ka lidhje me reformën në sistemin e drejtësisë. "Në lidhje me kalimin në paketë, ky ligj nuk ka lidhje me reformat me sistemin e drejtësisë për sa i përket ligjit për organizimin e gjyqësorit apo Policisë Gjyqësore. Ky ka vetëm një nen të vetëm, që punonjësit e SHKB-së kanë atributet e Policisë Gjyqësore dhe më pas i referohet Kodit të Procedurës Penale që është më i lartë si ligj, është e qartë", deklaroi Halilaj. Përfaqësuesja e Prokurorisë ka deklaruar në komision se projekti i paraqitur i jep SHKB-së kompetencat e Policisë Gjyqësore, çka duhet riparë. Kripa ka pasur vërejtjet e saj në lidhje me nenin 23 të projektit. "Në këtë formulim duhet parë me kujdes se ka përgjim procedurial dhe parandalues. Janë të ndryshme procedurat dhe kërkesat para kujt paraqiten kërkesat për përgjim. Për përgjimin parandalues kërkesa paraqitet para Prokurorit të Përgjithshëm, kur është procedural paraqitet në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, para prokurorit të çështjes, prandaj duhet të ndahen", deklaroi përfaqësuesja e Prokurorisë. Gjithashtu ajo ka kontestuar faktin se materiale të përgjuara janë lënë si afat për pesë vjet, në një kohë kur ligji e ka si detyrim që përgjimeve të realizuara t'i bëhet një kopje. Në lidhje me këto pretendime të ngritura, drejtori i SHKB-së deklaroi se, "ne jemi agjenci e pavarur shtetërore që lufton korrupsionin. Për këtë shkak dhe këtë vizion që kemi ligji na ka veshur me disa atribute që veprojnë në ndikim të prokurorit, nuk jemi ne prokurorë. Kjo është e shprehur", deklaroi Halilaj. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, i pranishëm në këtë mbledhje, e mbështeti p/ligjin e qeverisë duke e cilësuar atë "përgjithësisht të mirë, të plotë dhe që realizon qëllimin kryesor, që është pastrimi i Policisë së Shtetit nga personat që merren me aktivitet kriminal ose akte korruptive". "Këto hetime nuk mund t'i ketë pronë vetëm SHKB-ja, detyrimisht ato duhet të paraqiten në Prokurori për të regjistruar procesin penal. Në këto kushte çdo punonjës policie që do të jetë në hetim, unë nuk shoh asgjë të keqe në këtë mes", deklaroi Prençi.
Debati, ICITAP mbështet projektin e Qeverisë
Përfaqësuesit e ICITAP-it në një deklaratë të paraqitur në Komisionin parlamentar të Sigurisë, kanë bërë të ditur qëndrimin mbi këtë projektligj për SHKB-në. ICITAP ka reaguar edhe në lidhje me debate e hapura mes maxhorancës dhe opozitës në lidhje me këtë projekt, ku të majtët pretendojnë se policia po vendoset nën diktatin e politikës. "Ky ligj nuk krijon një situatë ku SHKB-ja ka nën kontroll Policinë e Shtetit. Në fakt kërkohet që SHKB-ja të hetojë shkeljet, veprimtaritë korruptive dhe kriminale të policëve të punonjësve të policisë dhe t'ia dërgojë ato Prokurorisë së Përgjithshme, ose ministrit të Brendshëm dhe Policisë së Shtetit. ICITAP nuk do ta mbështeste këtë ligj, nëse do të besonim se ky do të çonte në 'kontrollin' e Policisë së Shtetit, ose krijimin e një agjencie tjetër informative", thuhet në deklaratën e depozituar në Komisionin e Sigurisë.