E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kostot e zbatimit të legjislacionit tatimor dhe shërbimet për tatimpaguesit e mesëm të TVSH-së



Evolucioni i legjislacionit tatimor nuk është thjesht tipar i vendeve me përvojë të pakët në fushën e rregullimit të veprimtarisë së financave publike, por edhe i vendeve me përvojë të gjatë, të cilat sot qëndrojnë në ballë të përvojës botërore; si shembull për këtë do të shërbente autorësia e diskutueshme ndërmjet Presidentit amerikan Alexander Hamilton dhe Presidentit James Madison për sa i përket citatit: “Për njerëzit do të ishte me përfitim fare të paktë legjislacioni që bëhet sipas zgjidhjes vetjake të njerëzve, nëse do të ishte voluminoz që të mos mund të lexohej, ose të ishte fare pa lidhje logjike që të mos kuptohej … ose të vuajë nga ndryshime të vazhdueshme që asnjë njeri të mos dijë çfarë është ligji sot dhe merre me mend çfarë do të jetë nesër. Ligji përkufizohet që të jetë një praktikë për veprim; por si mund të jetë ai një praktikë e tillë që njihet fare pak dhe fiksohet më pak?” Ndryshimet e legjislacionit tatimor në Shqipëri në këto njëzet vitet e fundit, pak a shumë, karakterizohen nga prirja për ta përmirësuar atë, veçanërisht në drejtim të të drejtave të tatimpaguesit, në kuptim të përmirësimit të klimës së biznesit dhe nxitjes së investimeve. Çdo paketë ose çdo ndryshim ka kosto si për tatimpaguesin ashtu dhe për administratën tatimore; në përmasa absolute dhe pa asnjë dyshim gjithsesi kuptohet se janë bizneset e mëdha ato që, krahasuar me bizneset e mesme dhe të vogla (SME), bartin një barrë më të madhe për zbatimin e tërësisë së legjislacionit tatimor; por kur kjo barrë matet në raport me numrin e punëmarrësve, qarkullimin ekonomik vjetor, fitimin, etj, rezulton se te bizneset e vogla ka një shpërpjesëtim në lidhje me bartjen e barrës tatimore. Kohët e fundit është bërë një studim mbi baza empirike nga ekspertë të vendeve të ndryshme anëtare të BE-së, studim nga i cili doli përfundimi se mesatarisht (1) një biznesi me më pak se dhjetë punëmarrës i duhet të përballet me një barrë (matur për një punëmarrës) afërsisht dy herë më të lartë se barra e një biznesi me më shumë se dhjetë punëmarrës, por më pak se njëzet punëmarrës dhe (2) tri herë më të madhe se një biznes me njëzet punëmarrës, por me më pak se pesëdhjetë punëmarrës; (3) për biznese me më shumë se pesëdhjetë punëmarrës, barra e zbatimit të legjislacionit tatimor për një punëmarrës është vetëm një e pesta e biznesit të vogël. Pra, kostoja e zbatimit të legjislacionit fiskal përbën një prej elementëve më të rëndësishëm të kostos së përgjithshme të zbatimit të mbarë legjislacionit tatimor dhe, në këtë kuptim, diferenca e barrës së zbatimit të legjislacionit tatimor ndërmjet bizneseve të mëdha dhe bizneseve të vegjël mund të shihet edhe te kostot e lidhura me zbatimin e këtij legjislacioni. Studimi i të Tatuarit Evropian (konkretisht Dokumenti i Grupit të Punës së Komisionit në vitin 2004), arriti në përfundimin se bizneset e vogla të vendeve anëtare të BE-së kanë një kosto me një koeficient prej 30.9 për qind (që është raporti ndërmjet kostos totale të zbatimit të legjislacionit tatimor kundrejt të gjithë tatimeve të paguara), ndërsa bizneset e mëdha në anën tjetër koston e kanë me një koeficient prej 1.9 për qind. Shpërndarja e kostos së zbatimit të legjislacionit tatimor ndërmjet bizneseve të mëdha dhe të vogla, pavarësisht faktit që bizneset e vogla zakonisht nuk ndikohen nga e njëjta masë e rregullave të hartuara për bizneset e mëdha, është në shpërpjesëtim, aq më tepër kur disa rregulla janë të thjeshtuara ose bizneset e vogla janë të përjashtuara nga zbatimi i tyre. Dy janë arsyet e përgjithshme që mund të identifikohen për mungesën e përparësisë relative të bizneseve të vogla lidhur me kostot e zbatimit të legjislacionit tatimor: së pari, këto kosto në njëfarë shkalle janë të fiksuara, pasi kontabiliteti dhe deklarimi tatimor për ata nuk mund të bëhet më i shtrenjtë për vetë faktin sepse formularët janë bërë për biznese me shifra të mëdha në lidhje me qarkullimin ekonomik, numrin e punëmarrësve etj. Hap pas hapi, me rritjen e madhësisë së biznesit, kostoja mesatare e zbatimit të legjislacionit tatimor për punëmarrës zvogëlohet; së dyti, bizneset e mëdha, si rregull, janë më efiçente në zbatimin e legjislacionit fiskal; kostot absolute më të mëdha të zbatimit të legjislacionit tatimor justifikojnë punësimin e specialistëve (të brendshëm ose të jashtëm) për zbatimin e tij dhe gjithashtu investimin në sistemin e teknologjisë së informacionit për të rritur efiçencën. Arsyet kryesore në lidhje me kostot e larta të zbatimit të legjislacionit tatimor nga bizneset e vogla përkojnë me përvojën shqiptare të këtyre dy dekadave edhe për shkak të ndryshimeve të shpeshta të legjislacionit tatimor për tatimin mbi biznesin e vogël, për TVSH, për tatimin mbi fitimin, për tatimin mbi të ardhurat personale etj., duke rritur kompleksitetin e tij, ekzistencës së dy administratave tatimore (qendrore dhe vendore), gjuhës së pakuptueshme të ligjit dhe formularëve të papërshtatshëm, afateve fikse për pagesat (që kanë shkaktuar dhe shkaktojnë probleme për sa i përket rrjedhës së parasë në dorë si në rastin e pagesës së tatimit mbi biznesin e vogël, kontributit të detyrueshëm të sigurimeve shoqërore etj), kostove për këshilltarët tatimorë (për të bërë bilancet etj.), si dhe procedurave të regjistrimit (jo vetëm për procedurat e regjistrimit në QKR). Gjithashtu, ka arsye të tjera, si parashikimi i problemeve të shmangies tatimore, njohurive të pamjaftueshme të pronarëve të biznesit, procedurave të komplikuara të kthimit të parave të paguara tepër (veçanërisht rimbursimit të TVSH-së), periudhës së dokumentimit, fuqisë së gjerë interpretuese të ligjit që kanë zyrtarët tatimorë, mosnjohjes së funksionimit të llojit të biznesit nga organet tatimore, mungesës së shërbimeve të mjaftueshme për tatimpaguesit, kostos së lartë të përgatitjes së llogarive etj. Përfshirja e një numri shumë të madh tatimpaguesish në skemën e kontrollit tatimor për qëllime të rimbursimit të TVSH-së, së pari, kërkon një riformatim të mënyrës dhe llojit të shërbimeve për këta tatimpagues dhe së dyti, angazhimin e pjesës më të madhe të burimeve të të gjithë kontrollit tatimor (për të gjitha llojet e tatimeve), çka do të dëshmohej mjaft mirë me anë të përvojës së krijuar që prej 1 korrikut 1996 në lidhje me zbatimin e ligjit për TVSH-në, i cili u miratua në 27.04.1995 dhe hyri në fuqi në 01.07.1996 dhe provoi më se tridhjetë e ca ndryshime që i janë bërë ligjit pa llogaritur ndryshimet në udhëzimet për TVSH-në dhe sqarimet e panumërta të TVSH-së deri në vitin 2009. Numri i bizneseve që do të përfshihen në skemën e re të rimbursimit të TVSH-së është një prej sfidave më të mëdha të administratës tatimore në vitet që vijnë. Duke iu referuar autorit mjaft të njohur Ken Messere, do të doja të citoja një pjesë të vogël nga thëniet e tij të mëdha në librin “Politika tatimore: Teori dhe praktikë në vendet e OECD-së”: “… Politika tatimore është ajo mbi balancat e mëdha ndërmjet dy palëve dhe jo mbi të vërtetat”.

Ndryshimet e politikës tatimore mund të përfshihen në katër kategoritë e mëposhtme: (I) të drejtuara te shpenzimet qeveritare, që përfaqësohen nga një tatim i ri ose rritja e një tatimi ekzistues dhe (II) të drejtuara te cikli i prodhimit, heqja ose zvogëlimi i një tatimi për të frenuar ose për të rritur rritjen ekonomike. Të dy këto lloj ndryshimesh janë në korrelacion me forcat e tjera që ndikojnë mbi prodhimin për një afat të shkurtër. Ndryshimet e politikës tatimore (III) të drejtuara te deficiti buxhetor, që përfaqësohen nga rritja e tatimit për të zvogëluar deficitin buxhetor të trashëguar, pavarësisht efekteve në prodhim për një afat të shkurtër dhe (IV) që synohen për një rritje ekonomike me afat të gjatë, përfaqësojnë lidhjen e ndryshimeve tatimore me qartësinë, efiçencën, nxitësit e përmirësuar tatimorë dhe besimin filozofik në përfitimet e një qeverisje më të vogël. Shkurtimi i shpenzimeve të qeverisë, sipas përvojës në shumë vende të botës mbështetet në hipotezën: “Mbaje bishën të uritur”; shpenzimet e qeverisë përcaktohen me pak ose fare pa lidhje me tatimet. Hipoteza se shkurtimet tatimore zvogëlojnë shpenzimet e qeverisjes shpesh citohet si një arsye për të justifikuar shkurtimet e tatimeve, por megjithatë, duhet thënë se për shkak se tatimet ndryshojnë për shumë arsye, vetëm ekzaminimi i marrëdhënieve ndërmjet ndryshimeve të politikës tatimore dhe shpenzimeve që bëhen nga qeveria dëshmojnë nëse këto ndryshime ia kanë arritur qëllimit. Kështu, për të nxjerrë vlerësime më të besueshme duhet ekzaminuar sjellja e shpenzimeve të qeverisjes në raport me ndryshimet tatimore që janë bërë për të parë nëse ato janë ose jo në korrelacion me faktorët e tjerë që ndikojnë mbi shpenzimet dhe, në rast se të dhënat nuk sigurojnë mbështetje të hipotezës në fjalë, atëherë çështja mbetet e hapur për diskutim.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›