E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Bujqësia, buxheti 2010 nxjerr zbuluar premtimet boshe

Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Socialiste reagon pas publikimit të prioriteteve të qeverisë për vitin 2010. Nënsekretari për Programin, Ervin Bushati deklaroi dje se Ekzekutivi i jep bujqësisë në fshat 42 herë më pak se sa kontributi real që ajo sjell në ekonominë tonë. Sipas tij bujqësia është sot 1/5 e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, por merr vetëm gjysmë për qind në projektbuxhetin për vitin 2010 të paracaktuar për Ministrinë e Bujqësisë. “Është faji i Sali Berishës që politikat ekonomike në bujqësi janë tepër të pafuqishme dhe pa fondet e duhura për të ndryshuar jetën e vështirë në fshat”, - tha ai. Në analizën e PS-së, bujqësia e mbetet sërish “Liliput” nën “vizionin kolosal” të zotit Berisha, i cili merret vetëm me vepra të mëdha dhe harron “realitetin e vogël” të familjeve shqiptare në fshat. “Në projektbuxhetin e vitit 2010, Qeveria Berisha ka përcaktuar vetëm investime minimale për gjysmën e familjeve shqiptare që mbijetojnë në fshat dhe të vetmin mjet jetese kanë aktivitetin bujqësor. Neglizhenca e qeverisë për vështirësitë që bëjnë të pamundur jetesën nëpërmjet bujqësisë nuk mund të fshehin realitetin e dhimbshëm në vend”, - deklaroi Bushati. Sipas tij, vështirësitë ekonomike në investime, infrastruktura tërësisht e mangët dhe një treg bujqësor kaotik, e bëjnë të pamundur zhvillimin normal të një aktiviteti rural fitimprurës për familjet në fshat. PS denoncon premtimet boshe të qeverisë për fonde dhe strategji pa fund për zhvillimin e ekonomisë bujqësore në zonat rurale.
Ky lajm është publikuar: 09/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›