Kova te Flamurtari, Deda te Vllaznia

Slavko Kovacic në drejtimin e Flamurtarit. Ish-ndihmësi i trajnerit të Kombëtares, Oto Baric do të zëvendësojë teknikun e shkarkuar, Eqerem Memushi, i cili dha dorëheqjen sot paradite përmes një konference për shtyp.
"Kova"
Kroati Kovacic mbërriti në drejtimin e vlonjatëve edhe me ndihmën e menaxherit Adrian Aliaj, i cili banon në Kroaci dhe ka sjellë 4 lojtarë te Flamurtari. Kovacic, për të cilin u fol në fillim të këtij edicioni se do të drejtonte Tiranën, do të jetë trajneri i dytë i huaj që drejton Flamurtarin, pas një eksperiencë të shkurtër të bullgarit Nikolai Arabov, kur 2-herë kampionët e Shqipërisë ndodheshin në Kategorinë e Parë në sezonin 2002-2003. 58-vjecari Kovacic zotëron një eurolicencë trajneri dhe ka bërë edhe disa ditë për praktikë te Liverpuli i Stiven Xherard.
"Deda"
Malaziasi Dervish Haxhiosmanovic është pasuesi i Mirel Josës në bankinën shkodrane, pas largimit të teknikut tiranas pas humbjes 1-2 me Teutën në Shkodër. "Deda" rikthehet për herë të katërt në drejtimin e Vllaznisë, skuadër të cilën e ka nxjerrë për herë të fundit kampione në sezonin 2000-2001, kur në drejtimin e klubit shkodran ishte ish-presidenti Myftar Cela, i vrarë në një atentat në Mal të Zi.
Të huajt
Kroati Kovacic dhe malaziasi Haxhiosmanovic janë dhe dy trajnerët e parë të huaj gjatë këtij edicioni, ku kanë mbetur vetëm tre bankina të palëvizura: Hasan Lika (Partizani), Gugash Magani (Shkumbini) dhe Krenar Alimehmeti (Elbasani).