E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kovaçiç: “Jam trajner me stil amerikan”

Nga Durrësi, Dash Frashëri
Slavko Kovacic është trajneri me të cilin mund të bisedosh edhe 24 orë. Ndihmësi i Oto Baricit është këshilltari më besnik i trajnerit të Kombëtares. I qeshur gjithmonë dhe shakatar më të gjithë, lojtarë e gazetarë, nuk përton që të përgjigjet, por me kusht që deklarimet e tij të mos shkruhen si kundërshtime të politikës që ndjek "eprori" i tij, Baric. SLLOVENIA - Kova kujton si kulm të karrierës së tij me kuqezinjtë barazimin me Slloveninë (0-0), ku ai ishte në bankinë në rolin e trajnerit të parë dhe përgatitjen e ndeshjes me Bullgarinë (0-0), të drejtuar më pas në fushë nga Oto Baric, i cili sfidoi sëmundjen me atë ardhje prej "sfinksi" nga Zagrebi në Sofje. "Ndihem shumë i vlerësuar që presidenti Duka më besoi për ndeshjen me Slloveninë dhe Bullgarinë. Edhe pse më vjen keq që nuk fituam me sllovenët, ndihem i lumtur që nuk humbëm me bullgarët", - rrëfehet Kovacic. STIL AMERIKAN - Një lojtar shumë i mirë në të kaluarën, futbollist dhe i përfaqësues kroate ("jam krenar që jam kroat", - thotë ai), Kova është dhe një trajner profesionist. "Unë kam mënyrën time, vëzhgoj dhe vlerësoj lojtarët sipas kriterit që ndjekin specialistët e basketbollit amerikan. Një lojtar nuk e mas nga humbja e një rasti apo shënimi i një goli, por në kompleks, për të gjithë punën që kryen ai". EUROTRAJNER - "Unë zotëroj një eurolicencë trajneri, me të cilën mund të stërvit cilindo ekip në Europë. Kam qenë për disa ditë për praktikë te Liverpuli, ku kam ndjekur nga afër se si stërvitet Stiven Xherard me shokë. Në Austri kam punuar si ndihmëstrajner i Hans Kranklit, ndërkohë që kam drejtuar edhe një ekip, Bergenin. Por nëse do të duhet të zgjidhja midis drejtimit të një klubi austriak, ku është martuar edhe vajza ime, dhe një klubi shqiptar, që i njoh prej 11 muajsh, unë do të zgjidhja atë shqiptar. Për një arsye të thjeshtë: futbollistët austriakë e kanë mendjen më shumë të luajnë në kompjuter sesa të stërviten, ndërsa në Shqipëri, jam i sigurt se do të nxirrja disa talente. Do ta pranoja më kënaqësi. Në Austri u japin më shumë përparësi skive dhe futbollistëve të huaj", - thotë ndihmësi i Baricit, Kovacic. "SPIUN SPORTIV" - Kroati Sllavko Kovacic është përzgjedhur nga Oto Baric për të qenë ndihmësi i tij në bankinën e Kombëtares shqiptare të futbollit. Baric ka punuar me Kovacic në Kroaci dhe Austri. Sllavko Kovacic ka qenë një nga ndihmësit edhe të trajnerëve të përfaqësueses austriake Hans Krankl dhe Andrea Herzog, ka një karrierë të pasur si futbollit dhe trajner. Kovacic vlerësohet me nota maksimale nga trajneri i Kombëtares shqiptare për aftësinë që Sllavko ka për të përcaktuar nëse një lojtar vlen apo nuk di të mendojë si futbollist. Kovacic ka qenë në disa misione për të vëzhguar gjendjen e lojtarëve të Kombëtares, përfshirë Hamdi Salihin, Jahmir Hykën, Migen Memellin. Kova nuk e kreu misionin e tij të fundit për vëzhgimin në aksion të Dorian Bylykbashit, që luan me Krivbasin në Ukrainë. "Në fakt edhe unë nuk dëshiroja të shkoja, pasi gjatë një ndeshjeje, një lojtar mund të luajë mirë apo keq brenda 90 minutave, dhe unë nuk kam pse të nxjerr përfundime të gabuara në dëm të lojtarit. Bylykbashin e thirrëm në grumbullim dhe gjatë këtyre dhjetë ditëve dhe kemi përshtypjet më të mira". FJALORI SHQIP: Edhe pse biseda bëhet në gjuhën gjermane, Kova nuk harron të shtojë edhe ndonjë fjalë shqip. "Nuk jam "budalla" kur e quaj Shqipërinë si një vend që pjell talente, teksa tregon edhe një sekret. "Për ditëlindje im bir më bëri një dhuratë. Dhe e dini se cfarë? Një fjalor të madh serbokroatisht-shqip. ‘Merre, se ku i dihet, do të punosh edhe dy vjet të tjera atje'", - tregon Slavko Kovacic, i cili në muajin maj të këtij viti mbushi 57 vjec.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›