E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kovaçiç, një “snajper” tek Flamurtari

Autori i Lajmit: red.
Sllavko Kovaçiç nuk është vetëm një trajner i mirë futbolli, as edhe sportisti i shekullit të 20-të në qytetin e tij të lindjes, Gjurgjevac në Kroaci. “Mustaqelliu” 58-vjeçar ka një jetë në sport dhe nuk ia ka falur zemrën vetëm topit të futbollit. Sipas medias kroate, “Kova” ka pasur pasion për shumë lloj sportesh me të cilët është marrë në statusin e amatorit (si profesionist ka qenë gjithnjë në futboll). Si një zotëri i vërtetë, Sllavko falënderoi qytetin e tij (që e quan Sllave, jo Kova si Bariçi) dhe sportistët më të vjetër kur mori çmimin e ”Sportistit të shekullit të 20-të të qytetit të Gjurgjevacit”. “Falënderoj sportistët më të vjetër që më dhanë zemër dhe më ndihmuan që karriera ime të ishte kaq e gjatë, - tha Sllavko atëherë, - dua me gjithë zemër që klubi ku kam luajtur, Sllaven Belupo, të ecë sa më mirë në kategorinë e parë”. Një qitës i vërtetë, sport në të cilin ka marrë medalje apo shpërblime si amator, Kovaçiç mund të quhet edhe një “snajper”. Pasi i provoi të gjitha këto sporte, Kovaçiçi i ri vendosi të merrej vetëm me futbollin, ku gjeti edhe suksesin. Drejtuesit e Flamurtarit të Vlorës dhe vetë kryebashkiaku futbolldashës, Shpëtim Gjika, nuk e dinë sesa “polisportiv” është trajneri i tyre nga Kroacia. Madje, ata pak besohet të dinë se Kova është shpallur edhe shënuesi më i mirë i kampionatit kur luante për ekipin e qytetit të tij, Graniçar, por edhe për skuadrën më të njohur Sllaven Belupo të Koprivnicës. Karriera e tij si sulmues e çoi në Austri tek Kazino e Salcburgut, pasi provoi fanellën e famshme të Dinamos së Zagrebit dhe u kërkua nga klube të tjera të jashtme. Arriti deri në përfaqësuesen olimpike të ish-Jugosllavisë. Por edhe si trajner, “Kova” nuk ka kaluar keq. Ai njihet si ndihmës i Oto Bariçit në disa skuadra (përfshi edhe kombëtaren shqiptare), por ka qenë edhe trajner i parë tek Bregenci në kategorinë e parë austriake apo edhe skuadrën e Fortunës së Këlnit në Gjermani. Trajneri i njohur i të rinjve (por edhe i ekipeve të të rriturve), Luan Sengla, thotë seriozisht se “nëse ke qenë sulmues, i ke shanset për t u bërë trajner i mirë”. Kovaçiç ka qenë sulmues dhe duket se drejtuesit e Flamurtarit janë treguar “snajperë” të zotë që kanë arritur të shënjestrojnë “snajperin” Sllavko.

Ky lajm është publikuar: 28/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›