Një diplomat anonim perëndimor?
• Ylli DylgjeriNjë diplomat “perëndimor” anonim në Shkup shpërndan rrufeshëm një “lajm” në agjencinë e lajmeve maqedonase INA. Lajmi mundohet të japë një version se kush mund ta ketë bërë shpërthimin e eksplozivit në punishten ilegale të demontimit të municioneve në kodrat e Gërdecit në Tiranë. Shpërthimi në Gërdec thotë “diplomati” është: akt i shërbimeve sekrete të rajonit, akti në Gërdec është kundër anëtarësimit në NATO si dhe për të krijuar kaos në Ballkan. Më tej “diplomati perëndimor” në Shkup akuzon Shërbimet Inteligjente Shqiptare për paaftësi dhe mungesë vigjilence. Së fundi diplomati e mbyll lajmin me një tërheqje vëmendje për politikanët shqiptarë, të cilët duhet të bëjnë kujdes dhe të mos e shfrytëzojnë këtë situatë për favore politike… Këtë lajm e dëgjova në hapjen e edicionit informativ të orës 15:30 te TV Klan dhe më pas dhjetëra herë në NTV. Këtë lajm të agjencisë maqedonase INA e vlerëson si të rëndësishëm një pjesë e medias shqiptare e… sigurisht, unë… gërdecasi, dhimbshëm duhet të besoj se situata nuk është kaq e thjeshtë, pra ndryshe nga ç’është thënë këto ditë në një nga versionet e djersitura të kryeministrit të vendit si “gabim njerëzor” apo “barut i vjetër”. Zërat për dorëheqjen dhe dorëzimin e imunitetit të Kryeministrit pas dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes janë bërë akute. Edhe kryetari i opozitës, Rama, me vonesë, por e mblodhi më së fundi mendjen dhe me “trimërinë” që e karakterizon kur i flasin në vesh, kërkoi dorëheqjen e Kryeministrit. Pra, thënë thjesht, Rama na doli këtë herë nga duart. Duhet shpëtim dhe për këtë duhen sajuar diplomatë perëndimorë pa emër dhe pa atdhe, që të njoftojnë nga jashtë për mynxyrën qe kemi bërë ne brenda vendit me… Vendim Qeverie. Për këtë duhen sajuar urgjent insinuata, sepse agjenturat… janë vënë në lëvizje!? Këtij vendi s’ia duan të mirën, dhe ne, në gojë të ujkut po hedhim valle. Armiqtë… duhen krijuar o sot, o kurrë! Armiq hipotetikë i duhen politikës qeveritare për të kaluar gropën e Gërdecit! Të gëlltisin një helm tjetër, që të harrojnë helmin e vjetër! Ky është turpi i radhës. Këtë turp e dëgjojmë edhe nga mediat e “pavarura” e “profesioniste”, që pranojnë të emetojnë një lajm: No name, No face, No number! Meqë nuk e bën media e lirë këtë investigim, po e bëj Unë… gërdecasi i vrarë, i gjymtuar, pa shtëpi e katandi. Kërkoj të di - Si quhet diplomati perëndimor në Shkup? Nga cili vend prestigjioz perëndimor është? Cili është burimi i informacionit që ai i referohet? A ka koordinim shërbimesh inteligjente me këtë vend që aspiron të futet në NATO? A mund t’ia paguajmë ne biletën për t’na sqaruar në Tiranë se çfarë di për gjëmën në Gërdec? Mos është nga Tirana ky diplomat, dhe meqë ka pasaportë të huaj, hiqet si diplomat perëndimor? Sa është paguar për prodhimin e këtij lajmi? Këto pyetje unë... Gërdecasi sot po i pres në qiell të hapur, nga shteti im, nga shtypi i lirë, nga drejtësia shqiptare. Këto përgjigje po i pres me padurim jo nga agjencia maqedonase e lajmeve INA, por nga prokurorja shqiptare INA.