Shtohen viktimat e tragjedisë, 14 të vdekur
Lista e të zhdukurve që disponon qeveria, zbret në 10 vetë. Humb jetën i plagosuri i shtruar në Bari të Italisë
Operacionet kanë nxjerrë nga rrënojat trupin e Flavio Deliut dhe 4 trupa të tjerë të dekompozuar
TIRANË- Shtohen viktimat e tragjedisë së Gërdecit, ndërkohë që mendohet se nën rrënoja ka ende të vdekur. Në orët e para të ditës së djeshme, grupi i shpëtimit ka mundur të nxjerrë nga rrënojat e fabrikës edhe katër trupa pa jetë, mes të cilëve edhe 3-vjeçarin Flavio Deliu. Deri në orët e vona të natës, identifikimi i viktimave të tjera ka qenë i pamundur. Kjo për shkak të karbonizimit të trupave. Megjithëse në morgun e kryeqytetit, gjatë gjithë pasdites së djeshme janë paraqitur shumë persona për të afërmit e tyre që rezultojnë të humbur, nuk është bërë i mundur identifikimi. Sipas burimeve nga morgu, trupave të karbonizuar nuk u ka mbetur asnjë shenjë dalluese, ç'ka mund të lehtësonte identifikimin e tyre. Ndërkohë që burimet zyrtare vazhdojnë të rifreskojnë listën e personave të zhdukur. Verifikimet e orëve të fundit kanë nxjerrë numrin e plotë të të vdekurve dhe të humburve nga kjo ngjarje e rëndë, por sërish janë 11 persona, për të cilët nuk dihet asgjë.
***
Nga familja Delia, në fshatin Muçaj, është vetëm një vajzë në kërkim, ndërkohë që persona të tjerë nga fshatrat përreth zonës së shpërthimit nuk janë gjetur ende. Vetëm nga familja Delia, në fshatin Muçaj, kanë humbur jetën Liljana, e cila ishte shtatzënë, djali i saj 3-vjeçar dhe kunati i saj. Edhe familja Cani, nga i njëjti fshat, ka 3 njerëz, për të cilët nuk dihet asgjë. Fshati Muçaj duket se është më i prekuri nga kjo tragjedi, pasi përveç të sipërpërmendurve, aty ka edhe 5 njerëz të tjerë, për të cilët nuk dihet se ku janë. Ata janë zhdukur në shpërthim dhe ende nuk janë gjetur. Në fshatin Marqinet 2, janë tre persona të zhdukur. E njëjta situatë paraqitet në fshatin Picar dhe në qytetin e Vorës. Edhe pse larg vendit të shpërthimit, në këtë zonë mungojnë katër persona, dy nga Picari e dy nga Vora.
***
Burimet zyrtare nga Emergjencat Civile shpjeguan dje se familjarët janë ende në kërkim të të zhdukurve dhe ata kanë dhënë detaje konkrete, për momentin e fundit që i kanë parë ata. Ndërkohë, edhe gjatë gjithë ditës së djeshme, grupet e shpëtimit kanë vazhduar punën në kërkim të trupave pa jetë jo vetëm në zonën e fabrikës, por edhe në zonën përreth. Por nuk është vetëm numri i lartë i viktimave dhe ai i të humburve që po përshkallëzon çdo ditë përmasat e tragjedisë. Gjendja shëndetësore e të mbijetuarve vazhdon të përkeqësohet, çka e ka bërë të pamundur kurimin e tyre në ambientet e spitaleve shqiptare. Rreth orës 21 të ditës së djeshme, janë nisur në drejtim të Italisë pesë pacientët që ndodheshin në pavionin e Djegies, në Spitalin "Nënë Tereza" në kryeqytet. Mjeku kirurg, Gëzim Xhepa shprehet se gjendja e pesë pacientëve që në mbrëmje janë nisur drejt Barit, ka qenë kritike për jetën. Sipas mjekut, të pesë pacientët kanë pësuar djegie të shkallës së tretë, çka e bën të pamundur kurimin e tyre në Shqipëri. Në pavionin Civil janë nën ndjekjen e mjekëve rreth 15 pacientë, por me gjithë komplikacionet, gjendja e tyre paraqitet jashtë rrezikut për jetën.
VIKTIMAT
Jetmir SaliBallazhi
1-Rajmonda MediDurda
2-Muhamet RamizHoxha
3-BesimFadilÇanga
4-HysenAbazCani
5-Jetmir QemalDeliu
6-Roland GëzimAlla
7-LilianaRamizDeliu
8-Flavio UranDeliu
9-Reshit HaxhiKruja
10-AzemMeliu(vdiq në Itali)
4 trupa që ndodhen në morg, të paidentifikuar
Rezultojnë të zhdukur
1-IrenaQemalDeliu
2-ManeQinami
3- ShkëlqimCani
4-BukurieCani
5- ZilieKaca
6-ShqipeAlhasa
7- ArbenHasa
8- MeteHaziraj
9-EndriDvorani
10-IlirianMalçi