QSUT: Institcionmet shëndetësore të mos përdoren për qëllime elektorale
Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë u bëri thirrje partive politike që të mos përdorin ambjentet e institucioneve spitalore dhe shëndetësore për fushatë elektorale. Gjatë një konference për shtyp, drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, tha se "institucionet spitalore shëndetësore janë institutione kurative ku kryhet shërbimi ndaj të sëmurëve dhe nuk bëhet fushatë elektorale, aq më tepër që situata aktuale epidemiologjike dikton kufizim të hyrjeve pa kriter në spitale, për shkak të rrezikut të virusit A (H1N1)". Duke reaguar pas një kronike të transmetuar në mediat vizive, ku pasqyrohej vizita e kryetarit të Partisë Socialiste në Spitalin Pediatrik në QSUT, drejtoresha Kuli tha se "zbatimi i reformës shëndetësore, futja në skemën e shërbimeve spitalore e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësore ka nisur në janar 2009 dhe ne kemi filluar të ndjejmë rezultate e para të përmirësimit". Ajo shprehu keqardhjen që disa prej shefave të shërbimit të QSUT-së janë të disinformuar dhe nuk kanë informacion siç duhet mbi skemën dhe se ku shkojnë fondet e ISKSH-së.
"Një javë më parë është zhvilluar dhe një mbledhje me shefat e shërbimit ku janë sqaruar me hollësi pagesat, të ardhurat dytësore, shtesat e pagave dhe shumë problematika të tjera në QSUT", informoi Kuli. Duke mos përjashtuar problemet aktuale në QSUT dhe në shëndetësi në përgjithësi, ajo theksoi se "shëndetësia është shumë më përpara se në të gjitha vitet e tjera". Ndërkohë, drejtoresha e QSUT-së siguroi se situata aktuale në këtë spital, i vetmi në vend i nivelit terciar është e mirë dhe për asnjë moment spitali nuk është gjendur në nivel zero. Për rastin në fjalë, drejtoresha e QSUT-së ka informuar me shkrim drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që "në rast të përsëritjes së këtij fenomeni do të kërkojë dhe marrje të masave, deri në largim nga puna".