E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krahas ofertës nga SK Tirana, Cuculli me sytë nga Zvicra

Reshat Ibrahimi
Shkup (Maqedoni)
– Ardian Cuculli, tani më ish-mbrojtësi i Shkëndijës nga Tetova ka marrë një ofertë nga kampionia e Shqipërisë, SK Tirana, për të vazhduar karrierën e tij në Superligën shqiptare. Futbollisti kërcovar, Cuculli dhe Refik Halili, njëri nga donatorët e SK Tirana janë takuar në Ohër, ku kanë biseduar për mundësin e transferimit të tij në skuadrën e kryeqytetit shqiptar. "Është e vërtetë se kam pasur kontakte me njërin nga donatorët e SK Tirana, e ai është Refik Halili. Jemi takuar të premten e kaluar në Ohër dhe kemi biseduar për transferimin tim në klubin e tyre. I thash Halilit se ambiciet e mia janë të luaj jashtë Maqedonisë dhe Shqipërisë. Ky është prioriteti im, ndërsa nëse nuk mund të realizojë objektivat e mia, atëherë ka vend për negociata", është shprehur për "Lajm", mbrojtësi kërcovar, Cuculli, duke shtuar se është në pritje të marrjes së vizës për të shkuar drejt Zvicrës. "Brenda dy-tre ditëve e pres të marrë vizën dhe do të shkojë në Zvicër. Kam disa oferta për të luajtur në disa skuadra të këtij vendi, pra synoj të luaj në Zvicër. Nëse arrij të kryej punë, do të qëndrojë atje, në të kundërtën do t'i vazhdojë bisedimet me SK Tiranën, por edhe me disa klube të tjera", sqaron Cuculli. Ndryshe, kampionia e Shqipërisë, SK Tirana Ardian Cucullin e ka cilësuar si pasardhës i mbrojtësit reprezentues të "bardhekaltërve", Nevil Dede. Të martën skuadra e Tiranës nën drejtimin e trajnerit Astrit Hafizi ka nisur fazën përgatitore dimërore, e cila do të zhvillohet në Shqipëri dhe Turqi. Gazeta Lajm, Maqedoni

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›