E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajneri i Maqedoni U-21, Jonuz : Po miqësores me Shqiperine

RESHAT IBRAHIMI
Shkup (Maqedoni) - Trajneri i reprezentacionit U-21 të Maqedonisë, Mirsad Jonuz i ka thënë gazetës "Lajm", se të mërkurën nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) i ka arritur ftesa për zhvillimin e një ndeshje miqësore me U-21 të Shqipërisë. Sipas tij ndeshja do të zhvillohet më 6 shkurt në stadiumin e qytetit në Vlorë. "Do ta pranojmë ftesën për të zhvilluar ndeshjen me U-21 të Shqipërisë. Takimi do të luhet në Vlorë me 6 shkurt. Shpresoj se kushtet për lojë do të jenë shumë të mira, pasi Vlora është një qytet turistik. Kemi nevojë për ndeshje kontrolluese, ka katër muaj që nuk kemi luajtur asnjë takim, prandaj kjo ftesë është e mirëseardhur për ne", tha trajneri i U-21 të Maqedonisë, Mirsad Jonuz, i cili ka shtuar se kjo ndeshje është një test i mirë para përballjes kualifikuese kundër Zvicrës, më 26 mars në Shkup. "Është e vërtetë se është një test shumë i mirë. Në mars e kemi një takim të rëndësishëm me Zvicrën në shtëpi, dhe nëse e fitojmë, atëherë na rriten shpresat për tu kualifikuar. Deri në fund të kualifikimeve kemi për të zhvilluar dy ndeshje si mysafirë, me Estoninë (20 gusht) dhe Norvegjinë (10 shtator) në Osllo", njoftoi ai. Maqedonia gjendet në grup me Zvicrën, Holandën, Norvegjinë dhe Estoninë. Aktualisht skuadra e Jonuzit ka 5 pikë nga 5 ndeshje, ndërsa kryeson Holanda me pikë maksimale. Ndryshe, ndeshja e fundit mes dy U-21 ka qenë 28 marsi i 2007-ës, ku skuadra e Shqipërisë fitoi 1-0 në Manastir. Gazeta "Lajm", Maqedoni

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›