E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krahasoni rezultatet e Jeremiçit me liliputët e Tiranës

Për njohjen legjitime të shtetit të ri të Kosovës nga shumica e vendeve anëtare të OKB-së është nevojë dhe domosdoshmëri që nga ana e shtetit shqiptar të projektohen, luhen e praktikohen në mënyrë permanente e me përgjegjësi të gjitha format dhe rrugët politike dhe diplomatike në planin kombëtar e ndërkombëtar, duke e sensibilizuar ndërkombëtarisht çështjen.

Kohët e fundit dëgjojmë shpesh të thuhet madje jo pa vetëmburrje e me superlativa deri në dëlir dhe ekzaltim se politika dhe diplomacia shqiptare kanë bërë dhe po bëjnë lobing me mjaft shtete dhe vende të ndryshme për pavarësinë e Kosovës. Natyrshëm na vjen mirë kur dëgjojmë të flitet kështu por, në fund të fundit puna, lufta dhe përpjekjet maten me rezultate konkrete dhe jo me llafe e propagandë zhurmuese.

Eshtë pak të thuash se ky është një diletantizëm, konfuzion dhe naivitet i pastër politik për shkak të të cilit të huajt na vërdallisin, shpërfillin dhe na marrin nëpër këmbë.

Shikoni sa i suksesshëm është ministri i Jashtëm serb Jeremiç. Ku shkel ai, shtetet refuzojnë ta njohin Kosovën. Krahasojeni me liliputin tonë, ministrin e Jashtëm Basha apo turet pa kuptim me paratë e taksapaguesve dhe pa asnjë efekt të kryeparlamentares Topalli në vendet arabe (ato nuk e njohin ende Kosovën).

Që lobingu të jetë i suksesshëm si për çdo problem edhe për çështjen e njohjes së shtetit të ri të Kosovës lipset që bateritë e zjarrit të politikës e të diplomacisë shqiptare të jenë përherë e vazhdimisht në ofensivë, të ndjeshëm e tepër fleksibël, sa më rezultativë dhe jo të zhurmshëm e pa kurrfarë efektiviteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›