LSI, nevoja për një kauzë të re politike është e qartë
Me të drejtë z.Minxhozi thotë se kur LSI shpalli programin e saj politik, problemi kryesor që motivonte ndarjen nga PS, ishte prezenca e Nanos në krye të PS-së. Dhe me ikjen e këtij të fundit në shtator të po atij viti, edhe për shumë muaj, motivi i antagonizmit ndaj socialistëve vazhdoi të jetë “nanoizmi”. Një term i shpikur nga komoditeti i debatit të momentit, më shumë sesa nga arsye të thella dhe të prekshme. (në fakt, lidershipi i LSI-së ka pasur më shumë sesa një flirt me ish-kryetarin e vjetër vite të shkuara, duke ndarë me të qeveri, ministra e zyrtarë gjithfarësh).
Ndryshimi i konjukturës politike në kokën e PS-së, ardhja në pushtet e Berishës dhe mbi të gjitha, zgjedhja në krye të socialistëve e Edi Ramës, duket se shtroi përballë LSI-së nevojën urgjente të gjetjes së një tjetër kauze politike. Nano nuk ishte më një faktor me peshë që nga vjeshta e 2005-ës. Nevoja për këtë kauzë të re është arsyeja e klimës agresive që kultivon sot LSI kundër PS dhe sidomos kundër Ramës.
Janë të gjitha gjasat që edhe kjo kauzë e dytë të ketë fundin e të parës. Madje, shumë kohë para se Rama të ikë nga partia, ashtu siç bëri Nano katër vjet më parë.
LSI mundohet të krijojë në publik psikozën e një aleance të përbashkët Berisha-Rama. Por nënshtrimi i një lideri politik ndaj kundërshtarit, të cilit natyrshëm kërkon t’i marrë postin dhe pushtetin, është një përrallë e vështirë për t’u besuar dhe mbështetur. Që Rama të ketë më për zemër pazaret e momentit me Doktorin, ndërkohë që vetëm pas disa muajsh do të ftojë dy milionë zgjedhës që t’i japin votën për të larguar pikërisht Doktorin nga qeverisja, ky është një arsyetim thjeshtë i gabuar dhe abuziv.