Në maj, BE do të shqyrtojë liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor

Zbardhet plani tetëpikësh i Ministrit të Jashtëm Franco Frattini
TIRANE - Liberalizimi i regjimit të vizave duhet të diskutohet brenda muajit maj. Kjo kërkesë qëndron në krye të planit 8-pikësh që Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini paraqiti gjatë samitit të fundit të ministrave të Jashtëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-s zhvilluar në kryeqytetin çek Pragë me qëllim përshpejtimin e procesit të integrimit euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor.
Plani parashikon hyrjen në fuqi të një regjimi të lirë pa viza për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas propozimit të kreut të diplomacisë italiane, një raport i Komisionit Evropian lidhur me këtë çështje duhet të jetë gati deri në fund të majit dhe të hyjë në fuqi në fund të vitit 2009, apo në fillim të vitit të ardhshëm. Italia kërkon gjithashtu një zhbllokim të shpejtë të bisedimeve midis Shkupit dhe Athinës lidhur me mosmarrëveshjen për emrin zyrtar të Maqedonisë, në mënyrë që t'u hapet rrugë negociatave të anëtarësimit në BE dhe NATO. Plani i Frattinit parashikon gjithashtu mbajtjen e një samiti midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në gjysmën e parë të vitit 2010, me pjesëmarrjen edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ja çfarë përmban plani tetëpikësh i Frattini
Rregjim të lirë vizash. Italia dëshiron që raporti i Komisionit Europian mbi këtë çështje të jetë gati në fund të muajit maj dhe të hyjë në fuqi sa më parë që të jetë e mundur.
Italia kërkon që në fund të muajit maj komisioni evropian mbi këtë çështje të fillojë përgatitjet për raportin teknik në lidhje me aplikimin e Malit të Zi për statusin e vendit kandidat për në BE, hap që duhet që të ndiqet edhe nga Shqipëria dhe Serbia.
Italia kërkon që Kroacia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian Brenda vitit 2010. Në lidhje me këtë çështje, Italia mbështet plotësisht planin e përgatitur tashmë nga Komisioni Evropian.
Italia apelon për një efektivitet më të madh të BE në dialogun e saj me Bosnjë-Hercegovinën.
Italia kërkon zhbllokimin e hyrjes në fuqi të fund të muajit qershor të marrëveshjes së ndërmjetme mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian, ndërsa kërkon nga Beogradi bashkëpunim të plotë me Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë
Italia kërkon tejkalimin e konfliktit mes Maqedonisë dhe Greqisë për sa i përket çështjes së emrit dhe fillimin e negociatave për aderimin e Shkupit në NATO dhe BE.
Për sa i përket Kosovës, Italia vë theksin tek rëndësia që ka mbështetja e përbashkëte e shtetit më të ri ne Evropë. “Së bashku në Kosovë, së bashku jashtë saj”, duhet që të jetë parimi që duhet të udhëheqë praninë ushtarake të faktorit ndërkombëtar atje.
Italia fton në samitin e përbashkët mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.