“Opozita të mos vajtojë në ditë feste siç ishte hyrja në NATO, por ta shohë me optimizëm”

Kryeparlamentarja reagon ndaj nihilizmit të treguar nga opozita
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli reagoi dje në seancë plenare, ndaj kritikave të opozitës socialiste, duke këshilluar që e majtë në tërësi ta shohë me optimizëm anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Topalli, duke iu referuar qëndrimeve kritike në vijimësi nga opozita, lidhur me procese të rëndësishme të zhvillimit të vendit, i këshilloi ata të mos vajtojnë në ditë feste siç ishte hyrja në NATO. “Përpara ngjarjeve të mëdha ka pasur prononcime të tilla nga opozita. Kështu, para marrjes së ftesës në NATO, një zonjë, zëdhënëse e Edi Ramës, më 2 prill 2008 deklaroi se Shqipëria nuk do ta marrë festën, por pas marrjes së ftesës ju bëtë protestë. Para se të firmosnim MSA-në u tha se kurrë nuk do ta nënshkruani atë, por kur u nënshkrua deklaruat se do të vonohej nja 15 vjet ratifikimi i saj. Sot thoni se nuk do të kemi karta. Ju këshilloj ta shihni me optimizëm Shqipërinë në NATO. Nuk është mirë të vajtoni në ditën e festës, aq më tepër kur më shumë se sot nuk ka pasur përpjekje për të krijuar një infrastrukturë moderne me karta e pasaporta biometrike”, tha kryetarja e Kuvendit, duke iu përgjigjur qëndrimeve kritike të opozitës, në seancën e djeshme në parlament.
Më tej, gjatë seancës plenare Topalli tha se me hyrjen në NATO shqiptarët ndihen më të vlerësuar, më me dinjitet dhe më me shpresë. Kryetarja e Kuvendit, në emër të deputetëve, shprehu falënderimin për Presidentin amerikan Barack Obama, lidhur me vlerësimin e tij për hyrjen e Shqipërisë në NATO.
“E falënderoj Presidentin Obama për deklaratën e tij, për krenarinë e tij që Shqipëria ka hyrë në Aleancë dhe vlerësimin e tij për përpjekjet dhe reformat e jashtëzakonshme që vendi ynë ka bërë gjatë kësaj periudhe”, tha Topalli.
“Festa vazhdon, vijoi ajo sot është një ditë e madhe, po ashtu si dje. Edhe nesër (sot) do të jetë një tjetër ditë e madhe, kur flamuri shqiptar do të ngrihet në Bruksel. Falënderoj kryetaren e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj për përfaqësimin e saj dinjitoz në Samitin e 60-vjetorit, por po ashtu shpreh keqardhjen që disa prej jush (opozita) nuk u bashkuat dje me shumicën e shqiptarëve në një takim të jashtëzakonshëm e të paparë”, u shpreh ndër të tjera, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.