Presidenti Obama, vlerësim të jashtëzakonshëm për transformimet e Shqipërisë

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli deklaroi dje se Shqipëria e meritoi anëtarësimin, për shkak të reformave të jashtëzakonshme, të realizuara nga kabineti Berisha
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, duke përshëndetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si një ngjarje kulmore dhe historike, shprehu se personalitet e vendeve të Aleancës, mirëpritën dhe përgëzuan Shqipërinë për reformat e realizuara.
Gjatë një interviste për TVSH, Topalli tha se pas çdo votimi, në çdo telefonatë që ka pasur me këto personalitete politike të vendeve më të rëndësishme të NATO-s ka dëgjuar përgëzimet e tyre për reformat e Shqipërisë, përgëzime që arritën kulmin ditën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO-n, kur, Presidenti Obama tha, “unë jam krenar, për Shqipërinë që është bërë anëtare e kësaj aleance unike në historinë e njerëzimit, jo të këtij shekulli por në historinë e të gjithë njerëzimit”.
Në 28 vendet anëtare, tha Topalli, Shqipëria zë një vend të barabartë me Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të Francës apo dhe të vendeve të tjera. “Ishte kulmore vlerësimi i Presidentit Obama që i quajti të jashtëzakonshme përpjekjet, reformat dhe transformimet që ka bërë Shqipëria gjatë gjithë kësaj periudhe”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.
Ajo garantoi vullnetin e qeverisë “Berisha”, për të plotësuar të gjitha kushtet dhe detyrimet, për liberalizmin e vizave, brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës, në mënyrë që shqiptarët, të mund të lëvizin të lirë në vendet e ndryshme të Evropës, aty ku kanë të afërmit e tyre.
“Unë jam e sigurt se mandatin tjetër madje në fund të vitit të parë të mandatit tjetër ne do të realizojmë që shqiptarët të lëvizin pa viza në Evropë. Përpara kemi mjaft punë të tjera të rëndësishme për të realizuar. Por ajo që unë e konsideroj sfidën më të rëndësishme për një komb që 1/3 e ka emigrant është liberalizimi i vizave”, tha Topalli.
Ajo vuri në dukje se, sfida të tjera të rëndësishme do të jenë ato të rritjeve të mëtejshme të rrogave dhe të pensioneve. Edhe arsimi mbetet një sfidë e përhershme, po ashtu sikurse edhe sistemi i shëndetësisë.
Duke iu referuar mitingut të zhvilluar në sheshin “Skënderbej”, me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kryetarja e Kuvendit tha se pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme. “Mitingu në sheshin “Skënderbej” ishte i paparë! Edhe pse jam prej shumë vitesh në politikë nuk kam parë përmasa kaq të mëdha, emocione kaq të veçanta, një ndërgjegjësim kaq të lartë të burrave, të grave, të të rinjve shqiptarë, të cilët morën pjesë në këtë gëzim të madh të përbashkët. Është një premtim i mbajtur, një dinjitet, një peshe rëndesë e jashtëzakonshme që i jepet vendit dhe emrit tonë, që i jepet kombit shqiptar, që i jepet çdo qytetari, në mënyrë të veçantë një horizont i vendosur i çuar më përtej, fundi i tranzicionit, futja e Shqipërisë në periudhë epokale për sigurinë për mundësinë, për të ardhmen, për ekonominë e tyre”, u shpreh Topalli.
Më tej, kryetarja e Kuvendit, theksoi se Partia që udhëheq vendin, e konsideron votën si zemrën e demokracisë dhe për këtë, po krijon një infrastrukturë moderne, për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, me synimin për të hedhur një tjetër hap madhor, një tjetër standard të realizuar, për anëtarësimin e shpejtë në BE.
“Nëse kjo mazhorancë ka një gjë thelbësore dhe nëse një parti politike e konsideron votën zemrën e demokracisë është mazhoranca aktuale, e cila u ngrit në vitin ‘92 për këtë votë të lirë, e cila luftoi në periudhën e opozitës për këtë votë të lirë, e cila tregoi në zgjedhjet e kaluara se nuk ka gjë më të shtrenjtë sa vota e shqiptarëve dhe që po demonstron si asnjëherë tjetër dhe po bën të mundur një infrastrukturë moderne duke realizuar, atë që të tjerët vite përpara mund ta realizonin, por për arsye që ne i kuptojmë nuk e kanë bërë”, nënvizoi Topalli.
Në përfundim, Kryetarja shprehu se të gjithë shqiptarët, gratë, burrat, të rinjtë, pensionistët, janë qytetarë të NATO-s.
“Është e vështirë ta përcjellësh me fjalë atë që ndien. Ta shohësh veten, vetëm shtatë karrige larg Presidentit Obama, Kancelares Anxhela Merkel, Presidentit Nikolas Sarkozy dhe të gjithë kryeministrave të vendeve të tjera, është dinjitet të besosh te vetja por megjithatë duhet të besosh tek e ardhmja”, konkludoi kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.