E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhudo në aksion për Olimpiadë

Nga Express më 20 gusht 2011 në ora 12:04

Federata e Xhudos e Kosovës (FXHK) është hedhur në aksion në mënyrë që Majlinda Kelmendi ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat olimpike ‘Londra 2012’.

Në fakt, kryetari i FXHK-së, Agron Kuka të shtunën do të marrë pjesë në Kongresin e Federatës Botërore të Xhudos (IJF), që mbahet në Paris të Francës. Në këtë Kongres, Kuka do të përfaqësojë xhudon kosovare, sikurse të gjithë përfaqësuesit e vendeve të tjera, edhe pse sportistët kosovarë në garat e IJF-së marrin pjesë me flamurin e këtij asociacioni.

Pas përfundimit të punimeve të këtij Kongresi, një delegacion i IFJ-së do të niset drejt Londrës, e cila është nikoqire e Olimpiadës që mbahet në vitin 2012. Pjesë e këtij delegacioni do të jetë edhe Agron Kuka, i cili kohë më parë ka marrë ftesë nga organizatorët e Olimpiadës ‘Londra 2012’ për t’i vizituar vendet ku do të zhvillohen Lojërat olimpike.

Kuka do ta shfrytëzojë këtë mundësi për të lobuar në mënyrë që xhudistja pejane, Majlinda Kelmendi të jetë pjesë e ‘Londrës 2012’.

“Për dy ditë, kryetari do të ketë takime të rëndësishme me kryetarin e IJF-së, Marius Vizer, kurse në Londër me disa zyrtarë, organizatorë të Lojërave olimpike. Në takimet në Londër, do ketë edhe diskutime për mundësinë e pjesëmarrjes së xhudos kosovare në Lojërat olimpike, kur dihet se Majlinda Kelmendi është sportistja e vetme kosovare që e ka aktualisht normën e pikëve olimpike”, thuhet në një komunikatë të FXHK-së.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›