E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi & Dimitrenko, sërish në ring për një sfidë tjetër

 

PRISHTINE-Luan Krasniqi dhe Alexander Dimitrenko, do t’i kryqëzojnë sërisht dorezat. Mediat gjermane shkruajnë se ndeshja mes të boksierit kosovar dhe atij ukrainas do të zhvillohet me 28 nëntor në Arena Oberhausen, në luftën për titull interkontinental të kategorisë ËBO. 38 vjeçari nga Juniku premton më shumë raunde në krahasim me ndeshjen e kaluar, ndërsa 27 vjeçari beson se do të fitojë sërish.

Duelin e parë ndërmjet këtyre dy boksierëve e pati fituar Dimitrenko, me nokaut në rundin e tretë. 38 vjeçari Krasniqi, i cili gjatë karrierës së tij ka arritur 30 fitore nga 35 ndeshje, premton se kësaj radhe nuk do të dorëzohet lehtë. “Kësaj radhe, njerëzit që vijnë ta shohin ndeshjen, do të shohin më shumë raunde”, u shpreh boksieri kosovar.

Kurse, 27 vjeçari ukrainas beson se do ta përsëritë triumfin e vitit të kaluar, kur e kishte mposhtur Krasniqin pas një goditjeje fatale në pleksus. “Luanin e kam mposhtur në luftën e parë. Këtë herë do të provoj ta përsëris atë luftë”, theksoi Dimitrenko, që ka fituar 29 ndeshje nga 30 të zhvilluara.

Ndërkohë, Luan Krasniqi po vazhdon përgatitjet me mikun e tij dhe shokun e skuadrës, Firat Arslan dhe me bashkëpunëtorin e tij, Christopher Ëhite. Boksieri më i madh në histori të shqiptarisë ndihet mjaft mirë fizikisht, mentalisht dhe i gatshëm për sfidën me ukrainasin Dimitrenko. “Ishte një punë e shkëlqyer, edhe pse ishte paksa e lodhshme”, theksoi Krasniqi në uebfaqen e vet zyrtar.

Pas humbjes nga Dimitrenko, Luan Krasniqi mendonte seriozisht që ta linte përfundimisht boksin aktiv. Mirëpo, pasi ishte konsultuar me familjen e tij, boksieri kosovar do ta sprovojë veten sërish në boksin profesionist. Fitorja eventuale do t’ia rriste oreksin për të synuar më lart, ndërsa humbja sipas të gjitha gjasave do të thoshte fund i karrierës së tij të bujshme.

(d.b/GazetaExpress/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›