Krasniqi: “Akoma mund të llogarisni në mua”

8 marsi rikthen në ring Luan Krasniqin dhe boksieri shqiptar me pasaportë gjermane do të kërkojë edhe një herë që të rikthejë besimin e adhuruesve të tij teksa do të ketë përballë ukrainasin e pamposhtur Alexander Dimitrenko për brezat e kampionit të Evropës dhe WBO-Intercontinental për peshat e rënda. Kësaj radhe gjithcka duket më e vështirë se kurdoherë për Krasniqin. Një kundërshtar 11 vite më i ri në moshë, pa asnjë humbje në ringun profesionist dhe aktualisht i dyti në renditjen e federatës WBO, pas amerikanit Tony Thompson. Por 36-vjecari Krasniqi është plot besim te vetvetja dhe kërkon me doemos një tjetër shans për të realizuar ëndrrën e tij, fitimin e titullit të kampionit të botës.
"Dua të dëshmoj se akoma mund të llogaritet në mua. Dhe do të shfrytëzoj këtë shans për të fituar edhe një herë rastin për një ndeshje për titullin botëror", ka thënë Krasniqi pas publikimit të lajmit për përballjen me Dimitrenkon.
"Për mua ka qenë gjithmonë e qartë se nëse dëshiroj që të mbetem lart duhet të boksoj me dikë që është në mesin e 5 boksierëve më të mirë. Gjithcka tjetër nuk do të kishte kuptim. Jam i lumtur që më është dhënë shansi ë boksoj kundër Saschas (Alexander Dimitrenko). Kundër Thompsonit isha totalisht jashtë, por kam pasur kohë që të mendohem dhe të përgatitem për këtë", ka shtuar Krasniqi.
Në mes të janarit do të fillojë përgatitjet për duelin e radhës dhe kësaj radhe në kampin e tij do të jetë edhe miku i tij, kampioni i botës në peshën "cruiser", Firat Arslan. "Ëndrra ime ka qenë që unë dhe Firati të jemi kampion boe në të njejtën kohë. Firati e ka bërë pjesën e tij të punës, tani e kam radhën unë".