Fatmir Vata, sa më i vjetër aq më i mirë

Tashmë i kaluar të 36-tat dhe shumëkush do të thoshte se ky mund të jetë sezoni i fundit i Fatmir Vatës në skenën e madhe të futbollit gjerman, por jo edhe vetë Fatmiri i cili vazhdon të jetë i adhuruar nga tifozët tek secila skuadër që aktivizohet. Mesfushori shqiptar ëshë renditur i dyti në një sondazh të organizuar nga faqja zyrtare e TuS Koblenz, skuadrës ku aktualisht aktivizohet, dhe rezultati ka qenë mjaft i favorshëm për të. Më shumë se 30 përqind e tifozëve të TuS Koblenz mendojnë se Famir Vata është futbollisti më i mirë i skuadrës së tyre për pjesën e parë të sezonit të Bundesliga 2. Vetëm slloveni Goran Sukalo ka marrë më shumë vota se shqiptari Vata duke qenë i pari në renditje me 36 përqind.
I larguar nga Arminia Bielefeld ku shihej si një idhull nga tifozëria vendase, Fatmir Vata ka rilindur në Tus Koblenz ku është aktivizuar si titullar në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni, duke shënuar një gol dhe duke bërë katër asiste. Përvec këtyre ai është futbollisti me notën më të mirë nga "Kicker" në radhët e skuadrës së tij, ndërsa renditet në mesin e 20 më të notuarve në të gjithë Bundesliga 2. Shifrat flasin vetë dhe si duket për Fatmir Vatën vlen e njeja thënie si për verën, "sa më i vjetër aq më i mirë".