E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: E dënoj fort Enciklopedinë maqedonase

Reagon ashpër për Enciklopedinë maqedonase edhe kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi. Sipas tij, ky botim duhet të tërhiqet nga qarkullimi, pasi maqedonasit kanë probleme me identitetin e tyre dhe nuk kanë të drejtë t‘i sulmojnë të tjerët. Duke u ndalur në aspektin shkencor, Krasniqi thotë se, "maqedonasit ende nuk kanë arritur ta krijojnë identitetin e tyre kombëtar. Ata nuk e dinë a janë maqedonas të krijuar me dekret të Titos, nuk e dinë a janë maqedonas që kanë paraardhës të tyre mbretin Samoil, ndërsa në anën tjetër shpesh pretendojnë të jenë edhe pasardhës të Aleksandrit të Madh, që ishte me origjinë ilire".

Krasniqi, duke qenë doktor i shkencave të historisë, thotë se historia e popullit shqiptar më nuk mund të përvetësohet nga askush, pasi që është ndër historitë më të konsoliduara të Ballkanit, pavarësisht se të gjithë shqiptarët nuk jetojnë brenda kufijve të një shteti. "Pra, një komb që nuk e ka të qartë identitetin e tyre kombëtar, kërkon ta mohojë identitetin e gjithë të tjerëve. Konsiderojmë që identiteti i shqiptarëve tani është i përmbyllur dhe i konsoliduar më së miri në tërë Ballkanin. Historia e popullit shqiptar më nuk mund të përvetësohet. Ajo është e popullit shqiptar, e lavdishme dhe mjaft e konsoliduar", shtoi Krasniqi. Ndërsa përmbajtjen e Enciklopedisë e cilësoi fyese për shqiptarët e Maqedonisë nga ana e të gjithë spektrit politik dhe shoqërisë civile në Shkup dhe më gjerë, të cilët përmes aktiviteteve të tyre janë duke kërkuar që ky botim të tërhiqet nga qarkullimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›