E Diel, 1 Nëntor 2026

Protokolli i EULEX dhe pavarësia e Kosovës

Protokolli mjaft i përfolur dhe i diskutuar kohët e fundit për bashkëpunimin policor mes misionit civil ndërkombëtar EULEX në Prishtinë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë ka ngjalluar mjaft polemika dhe diskutime të ashpra jo vetëm në Kosovë, ku ai, sikurse dihet tashmë për arsye që njihen, kundërshtohet përgjithësisht, por, për çudi, edhe në Serbi. Personalitete dhe figura me peshë në jetën politike të këtij vendi e konsiderojnë protokollin e lartpërmendur si një të tillë që i shërben, as më pak dhe as më shumë, por pavarësisë së Kosovës, ndërsa vënë në dukje se ata që e nënshkruan atë, kanë shitur interesat kombëtare të Serbisë! Këta politikanë të lartë serbë konsiderojnë se, duke arritur një protokoll bashkëpunimi ndërkufitar, pavarësisht nga fusha që ai (bashkëpunimi) mbulon, me misionin e EULEX-it të Prishtinës, Serbia nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka njohur praninë e kufirit ekzistues aktual mes Serbisë dhe Kosovës. Kufiri, sipas tyre, është një atribut kyç i shtetësisë dhe protokolli për bashkëpunimin ndërkufitar i arritur mes Serbisë dhe EULEX-it ka konfirmuar kështu ekzistencën e këtij kufiri. I këtij mendimi, midis të tjerëve, është edhe një nga figurat kryesore në politikën aktuale serbe, ish-kryeministri dhe kryetar i Partisë Demokratike të Serbisë (DSS/ Demokratska Stranka Serbije), Vojisllav Koshtunica.

"Çdo shtet që nënshkruan marrëveshje për bashkëpunimin ndërkufitar pranon zyrtarisht se territori i tij shtetëror shtrihet deri te vija kufitare dhe, në të njëjtën kohë, pranon se matanë vijës kufitare fillon territori i një shteti tjetër", vuri në dukje ditët e fundit Koshtunica, të cilit i referohet gazeta e përditshme e Beogradit, "Gllas javnosti". Ai nënvizoi se marrëveshja e arritur me EULEX-in përbën një goditje të fortë që i jepet Serbisë dhe përbën një akt të drejtpërdrejtë të njohjes së kufijve të shtetit të pavarur të Kosovës. "Duke vepruar në këtë mënyrë, ky pushtet i është nënshtruar diktatit nga jashtë dhe ka tradhtuar popullin e vet, interesat shtetërore dhe serbët në Kosovë e Metohi", theksoi Koshtunica. Me këtë të fundit është bashkuar edhe kryetari i Partisë së Serbisë së Re (NS/Nova Serbia), Mirosllav Markiçeviç, figurë tjetër e njohur politike në Serbi, sipas të cilit EULEX-i nuk është gjë tjetër veçse pjesë përbërëse e planit të Ahtisarit për Kosovën, të cilin e kanë hedhur poshtë të gjithë shtetarët në Serbi. "Qeveria duhet të dalë para popullit dhe t‘i shpjegojë atij se çfarë do të thotë kjo marrëveshje për serbët; kam bindjen, se asgjë të mirë për sigurinë dhe interesat kombëtare të Serbisë", theksoi ai.

Përfaqësuesit e lartë zyrtarë të Serbisë, duke marrë pozita mbrojtëse, kanë lëshuar një sërë deklaratash që nuk kanë bërë gjë tjetër veçse i kanë hedhur benzinë zjarrit të ndezur në Serbi lidhur me çështjen e sipërpërmendur, duke treguar në këtë mënyrë edhe një herë tjetër përçarjen e madhe politike që ekziston aktualisht në këtë vend lidhur me çështjen e Kosovës. Sekretari i shtetit në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën dhe Metohinë, Oliver Jovanoviç, duke i hedhur poshtë ditët e fundit deklaratat dhe thëniet se protokolli në fjalë mes MPB-së së Serbisë dhe EULEX-it përbën njohje të kufijve të Kosovës së pavarur, theksoi: "Kjo që thuhet është absurditet. Serbia, që nga viti 1999, nuk i kontrollon kufijtë e veta as me Maqedoninë, as me Shqipërinë, si edhe as me Malin e Zi. Kurse kjo marrëveshje është e rëndësishme për të shkak të sigurisë sonë, Brukselit, Shengenit të bardhë, si dhe të sigurisë së vetë shqiptarëve kosovarë nga krimi i organizuar. EULEX-i do ta bëjë këtë atje (në Kosovë) në vend të nesh, në kufijtë me vendet fqinje. Ne po veprojmë në kuadrin e Rezolutës 1244 të OKB-së dhe jo të planit të Ahtisarit", u përpoq të justifikohej Oliver Ivanoviçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›