Krasniqi: Ende herët të flitet për erë të re Tiranë-Beograd
"Një epokë e re në marrëdhëniet me Tiranën? është ende herët të flitet për këtë, edhe pse largimi nga politikat konfliktuale i shërben stabilitetit në Ballkan". Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një intervistë pak ditë pas vizitës së ministrit të Jashtëm shqiptar, Ilir Meta në Beograd. Ai e vlerëson këtë si një hap pozitiv, por thekson se Kosova pret shumë nga diplomacia shqiptare në lobimin për njohjen e Kosovës nga vendet e tjera. " Ne i përshëndesim të gjitha sinjalet që vijnë në drejtim të uljes së tensioneve të raporteve ndërshtetërore në Ballkan, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të qetësohet kjo fuçi baruti. Në shërbim të kësaj e shohim edhe vizitën e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë në Beograd", ka thënë Krasniqi, duke shtuar se ka bindjen e fortë se diplomacia shqiptare do të vazhdojë me intensitet më të madh të lobojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet e botës". Deklarata e tij konfirmon reagimin e kujdesshëm të Prishtinës zyrtare ndaj vizitës së shefit të diplomacisë shqiptare në kryeqytetin serb. Sipas Krasniqit, rivendosja e marrëdhënieve të Beogradit me vendet që e kanë njohur Kosovën, e sidomos me Shqipërinë, tregon se ndryshimi i qëndrimit ka nisur. Por, ai shton se ka ende shumë për të bërë. " Ne jemi për gjuhë të re, për frymë të re dhe për partneritet të ri me të gjithë popujt e Ballkanit", ka thënë Krasniqi.