E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Gjatë tri viteve Kosova ndërtoi sistemin e demokracisë

Nga Express më 16 shkurt 2011 në ora 20:41

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se së shpejti do të konstituohen institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, të cilat para vetes do të përballen me sfida të reja të shtet-ndërtimit.

Ai këto komente i bëri të mërkurën mbrëma gjatë një pritjeje me rastin e trevjetorit të shpalljes së pavarësisë, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, partive politike, ambasadorë të huaj, etj.

Duke folur rreth trevjetorit të pavarësisë, Krasniqi theksoi se shpallja e pavarësisë përmbushi aspiratat e brezave të tërë që sakrifikuan veten për lirinë qe ne gëzojmë sot.

“Gjatë këtyre tri vjetëve të pavarësisë, Kosova ndërtoi sistemin demokracisë, institucionet e qetësisë, ngriti një infrastrukturë të tërë ligjore e fizike, shënoi një zhvillim ekonomiko-shoqëror, thelloi reformat e gjithanshme dhe e sanksionoi me Kushtetutë barazinë e qytetarëve të saj si pjesëtar i një shoqërie të lirë, të barabartë dhe demokratike”, ka thënë Krasniqi, siç transmeton Kosovapress.

Për më tepër, Krasniqi ka thënë se Kosova do të vazhdojë ndërtimin dhe zhvillimin e saj si shtet i pavarur.

“Kosova e pavarur e demokratike do të jetoj e zhvillohet ngadalshëm dhe do të përballet me sfidat e rritjes e të përparimit”, ka thënë ai.

Krasniqi ka shprehur besimin se institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit do të konstituohen shumë shpejt.

“Shumë shpejt do të ndërtojmë institucionet përfaqësuese ekzekutive të Kosovës për të vazhduar betejën e madhe drejt zhvillimit ekonomik dhe sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe forcimit dhe stabilitetit politik e të sigurisë, reformave të gjithanshme demokratike dhe njohjes ndërkombëtare, anëtarësimin në OKB dhe organizata tjera botërore, si dhe drejt realizimit të vizave e të integrimeve euro-atlantike”, ka thënë Krasniqi.

Ai uroi të gjithë qytetaret e Kosovës për këtë festë të madhe, duke kujtuar familjen e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari për flijimin që bëri, por edhe miqtë ndërkombëtarë që i kontribuuan lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, e cila deri më sot është njohur nga 75 vende të botës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›