E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Koalicionet nuk preferohen shumë të gjera

Nga Express më 28 dhjetor 2010 në ora 14:33

Ushtruesi i detyrës së Presidentit, Jakup Krasniqi nuk parapëlqen një koalicion të gjerë megjithëse për këtë, sipas tij do të vendosin “numrat” e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Ai thekson se gjithçka do të varet nga procesi i rivotimit më 9 janar.

Megjithatë, Krasniqi beson se në fund të janarit ose në fillim të shkurtit, vendi do të ketë institucionet e dala pas zgjedhjeve.

“Zakonisht koalicionet nuk preferohen shumë të gjera, ne e kishim një koalicion mjaft të gjerë por nuk rezultoi i suksesshëm”, ka thënë Krasniqi, në një intervistë për Radio Kosovën.

Sa i përket ideve për një Qeveri teknike, Krasniqi ka thënë se zgjidhjet duhet kërkuar në bazë të Kushtetutës.

“Qeveria teknike nuk është e parashikuar me Kushtetutën tonë, prandaj, gjitha zgjidhjet duhet të bëjmë përpjekje t’i gjejmë në bazë të aktit më të lartë juridik”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka folur edhe për raportin e Dick Marty’t dhe mundësinë që të publikohen emrat e atyre që bashkëpunuan në përpilimin e këtij raporti.

“Unë nuk di emra, sigurisht që Dick Marty i din ata emra, është mirë që në ardhmen do të ketë mundësi që të dihen emrat, por, unë në këtë moment nuk do të manipuloja pasi është diçka, të cilën unë ende nuk e di”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka ritheksuar se qëllimi i raportit ka qenë denigrimi i luftës së popullit shqiptarë, i vlerave të këtij populli si dhe amnistimi i krimit të vërtetë që ka bërë Serbia në Kosovë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›