E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Marrëveshja avancon Kosovën si shtet

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë mirëpret marrëveshjen e arritur së fundi për menaxhimin e integruar të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se ajo mbron dhe avancon interesat e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur.

Përmes një komunikate për media Ambasada e SHBA-së vlerëson se siç ka qenë rasti edhe me marrëveshjet e tjera të arritura brenda kornizës së dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të lehtësuar nga BE-ja, Qeveria e Kosovës ka treguar maturi dhe fleksibilitet në arritjen e kësaj marrëveshjeje me Serbinë.

“Ajo mbron dhe avancon interesat e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur”, thuhet në komunikatë.

Më tutje, thuhet se marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve (MIK) mbështetet në mirëkuptimin e shtatorit 2011 ndërmjet Kosovës dhe BE-së e KFOR-it, që ka vendosur kontrollin doganor dhe kufitar në pikat veriore kufitare të Kosovës dhe ka garantuar që Kosova do të ushtrojë kontroll mbi të gjitha kalimet e saj kufitare.

“Marrëveshja për MIK po ashtu siguron që zyrtarët doganorë dhe kufitarë të Kosovës do të qëndrojnë në portat veriore për të ushtruar mandatin e tyre sipas ligjit të Kosovës”.

Ambasada e SHBA-ve vlerëson se tash është koha që edhe bllokadat e tjera ilegale të rrugëve në pjesën veriore të Kosovës të hiqen, sepse atop janë bërë pengesë për të gjitha institucionet.

“Ato bllokada të rrugëve po pengojnë KFOR-in dhe EULEX-in për të ushtruar përgjegjësitë e tyre anekënd Kosovës në pajtim me mandatet e tyre përkatëse. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta se duhet të ketë liri të lëvizjes pa kusht kudo nëpër Kosovë për të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës”, përfundon komunikata

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›