E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaqiri beson në mrekulli

Xherdan Shaqiri beson se Baseli mund të bëjë mrekulli, duke u kualifikuar në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve. Por, për ta arritur një gjë të tillë, 20 vjeçari shpreson në një lojë perfekte ndaj Manchester Unitedit. Përfaqësuesi zviceran e pranon se ëndërron të luajë te ‘Djajtë e Kuq’, por që për momentin është i koncentruar te klubi zviceran.

Xherdan Shaqiri shpreson në një mrekulli, në mënyrë që ekipi i tij, Basel, të kualifikohet në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve. Por, për ta arritur një gjë të tillë, ekipit zviceran i nevojitet ta mposhtë gjigantin anglez Manchester United. Me angazhimin e të gjithëve, 20 vjeçari beson se kampioni zviceran do t’i eliminojë ‘Djajtë e Kuq’.

“Kemi nevojë për një punë të madhe dhe të mundohemi ta bëjmë lojën tonë. Të gjithë duhet ta shfaqin kualitetin e tyre më të mirë. Shpresoj që ta shënojmë golin e parë. Presioni më i madh qëndron mbi Manchesterin. Jemi në gjendje ta bëjmë një lojë të madhe. Kemi nevojë për një paraqitje të mrekullive, një lojë perfekte”, deklaroi Shaqiri për ueb faqen zvicerane 20min.ch.

Ai dëshiron ta zhvillojë një lojë të madhe ndaj ekipit të Sir Alex Fergusonit. Shaqiri është i motivuar, por e di se ekipi i tij do të ketë punë me një kundërshtar mjaft të fortë në ndeshjen që zhvillohet në Zvicër. Së fundmi flitej se pikërisht Manchester United ishte i interesuar për Shaqirin. Për këtë, ky do të ishte një takim i veçantë, me domethënie të dyfishtë.

“Kush nuk do të dëshironte të luante për Manchesterin? Manchester United është ëndërr e çdo futbollisti. Mirëpo, ato që thuhen nuk më interesojnë shumë. Unë e bëj punën time në Basel dhe mundohem të shfaq paraqitje të mira, kështu që nuk merrem me spekulime”, përfundoi Shaqiri. Përballja ndërmjet Baselit dhe Manchester Unitedit do të zhvillohet të mërkurën mbrëma.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›