E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni më i keq në karrierë

Liridon Leci e konsideron si më të dobëtin në karrierë sezonin e fundit, pasi nuk arriti ta zhvillojë asnjë ndeshje me Kalmarin në Allsvenska. Megjithëkëtë, reprezentuesi kosovar ka vendosur të qëndrojë në skuadrën suedeze me shpresë se do të zë vend në ekipin bazë në sezonin e ri. Nëse kjo nuk ndodh, mbrojtësi 26 vjeçar paralajmëron se pas gjashtë muajve do ta braktisë ekipin.

Liridon Lecit i ka shkuar huq viti i parë si futbollist i Kalmarit. Me këtë skuadër, mbrojtësi kosovar nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje gjatë kampionatit që lamë pas në elitën e futbollit suedez, Allsvenskan.

Në fillim të vitit, Leci ishte transferuar te skuadra skandinave nga Kastrioti i Krujës, që garon në Superligën e Shqipërisë. Me Kalmarin ai kishte nënshkruar kontratë trivjeçare. Por më pas, Leci e kishte pësuar një lëndim, me ç’rast iu kishte nënshtruar një operimi.

Mirëpo, pas kthimit nga lëndimi, reprezentuesi kosovar ka luajtur vetëm për ekipin rezervë të Kalmarit, por jo edhe për skuadrën e parë. Kështu kampionati suedez përfundoi pa e zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare. Andaj vetë Leci pranon se ky ishte viti më i keq në karrierën e tij.

“Faji nuk është te trajneri që nuk kam luajtur, por te lëndimi. Pastaj u operova dhe kështu shkoi kampionati pa luajtur. Pra, ishte viti më i keq për mua në karrierën time”, ka deklaruar Leci për Express.

Megjithatë, ai tani ndihet plotësisht i rikuperuar. Madje, Leci është optimist se në edicionin e ri do të gjejë hapësirë të mjaftueshme për të luajtur me skuadrën e parë të Kalmarit dhe për këtë arsye, ai ka vendosur të qëndrojë edhe më tutje në Allsvenskan.

“Tani është larguar një mbrojtës nga skuadra dhe kjo më jep shpresë që do ta kem më të lehtë të zë vend në formacion. Pra, me largimin e atij futbollisti nga Kalmari, gjasat janë shtuar që të zë vend në formacion. Por, duhet përgatitem shumë gjatë fazës përgatitore për ta bërë një gjë të tillë. Unë besoj se mund të zë vend në formacion, sepse mbrojtësit tjerë nuk kanë cilësi më të larta në mënyrë që unë t’i humbi gjasat”, theksoi ai.

Mirëpo, 26 vjeçari paralajmëron se pas gjashtë muajve mund ta braktisë Kalmarin, nëse nuk i jepet mundësia për të luajtur me skuadrën e parë.

“Do të rri edhe gjashtë muaj në Kalmar dhe nëse gjatë kësaj periudhe kohore nuk mund të siguroj hapësirë për të luajtur, do të bisedoj me klubin rreth gjetjes së ndonjë zgjedhjeje, sepse unë dua të luaj”, pohoi ish futbollisti i Besës së Kavajës, i Flamurtarit e i Prishtinës.

Leci iu kishte bashkuar Kalmarit gjatë dimrit të kaluar bashkë me reprezentuesin tjetër kosovar, Alban Dragushën. Sikurse Leci, edhe Dragusha nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje me Kalmarin. Pjesë e këtij klubi janë edhe dy kosovarët tjerë: Etrit Berisha dhe Besnik Rustemaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›