E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Marrëveshjet duhet ta kenë një bazë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke iu përgjigjur interesimit të mediave rreth marrëveshjes së arritur ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel për menaxhimin e integruar të kufirit, ka thënë se në parim nuk është kundër marrëveshjeve, porse marrëveshjet e arritura duhet ta kenë një bazë.

Ai këto komente i bëri të shtunën në një konferencë për media pas kthimit nga vizita në Gjermani, ku ka zhvilluar takime të shumta me zyrtarë të shtetit gjerman.

Ndërkohë që mbrëmë është arritur marrëveshja për menaxhimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se marrëveshje të tilla duhet të kenë një bazë.

“Unë ju informova për ata që ne kemi bërë gjatë këtyre ditëve në Gjermani dhe mendoj se ky është interesi i qytetarëve të Kosovës, për këtë çështje ne pasi që t’i marrim informacionet e plota do të bisedojmë dhe do të qëndrimin tonë. Unë thashë edhe më parë do të vlerësojmë dhe do të japim mendimin tonë, por parimisht unë nuk jam kundër marrëveshjeve, por ato marrëveshje duhet ta kenë një bazë”, ka thënë ai.

Në pyetjen e bërë nga gazetarët lidhur me deklaratën e kryeministrit Hashim Thaçi, i cili ka kritikuar kuvendarët se nuk po i lexojnë mirë ligjet para se t’i miratojnë, Krasniqi tha se nuk dëshiron t’i komentojë deklaratat e të tjerëve.

“Shikoni unë nuk e kam lexuar atë deklaratë dhe nuk mund të komentoj deklaratat e të tjerëve”, ka thënë ai.

Duke folur për vizitën në Gjermani, Krasniqi ka thënë se ka marrë mbështetje të fuqishme nga drejtues të shtetit gjerman dhe Bundestagu në përgjithësi në rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropianë dhe NATO-s.

“Ne morëm mbështetje të fuqishme dhe ne ju besojmë atyre premtimeve se Gjermania do ta mbështesë në instancat më të larta të BE-së dhe në liberalizimin e vizave, në rrugën e integrimeve të Kosovës në Be dhe në NATO. Por natyrisht Kosova ka detyra dhe obligime në rend të parë ndaj qytetarëve të vet sa i përket zbatueshmërisë së rendit dhe ligjit në gjithë hapësirën e saj, luftën kundër dukurive negative, korrupsionit dhe krimi i organizuar”, ka thënë Krasniqi.

Ai po ashtu ka bërë të ditur edhe interesimin e kompanive më të fuqishme të Gjermanisë për të investuar në Kosovë, e në veçanti në sektorin e energjetikës.

“Kemi biseduar edhe me kompani të fuqishme të konsulencës, të cilat janë të gatshme të vijnë në Kosovë dhe të ndihmojnë Qeverinë e Kosovës dhe Kosovën sa i përket konsultave që do të jepnin për zhvillimin e energjetikës në Kosovë dhe kanë garantuar se me konsultat e tyre do të kishte mundësi që kompanitë e fuqishme të Gjermanisë të investonin në Kosovë. Unë shpresoj se do të ishin në interesin e Kosovës që të kemi marrëdhënie me kompani të fuqishme të Gjermanisë për faktin se ata kanë standardet më të mëdha të punëve dhe mendoj se është interesi rend të parë i Kosovës për të pasur investitorë të fuqishëm nga Gjermania”, është shprehur Krasniqi.

Ndryshe, pas tri ditë negociatash maratonike ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të premten mbrëma në Bruksel është arritur marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve. (Kosovapress)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›