E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia italiane konfiskon armë nga ish-Jugosllavia

Agjentët e policisë së Triestes në Itali kanë sekuestruar përmes një operacioni një arsenal armësh, që vinte nga një prej vendeve të ish-Jugosllavisë.

Lajmin e bëjnë të ditur agjencitë italiane, sipas të cilave përmes operacionit të koduar me emrin “Rrezik Maksimal” janë bllokuar 36 armë, normale dhe të luftës.

Sipas burimeve, mes armëve kishte shumë kallashnikovë, ndërkohë që nuk mungonin edhe sasi eksplozivi plastik me potencial tepër të lartë.

Armët po transportoheshin në bordin e një kamioni, që u lokalizua në kufirin mes Italisë dhe Sllovenisë, drejtuesi i të cilit, një 32-vjeçar slloven, është arrestuar.

Destinacioni i armëve mbetet ende për t’u zbuluar, por prokurorët e anti-mafies kanë deklaruar disa herë se vendet e ish-Jugosllavisë luajnë një rol kyç në furnizimin me armë të organizatave mafioze, me bazë në jug të Italisë.

Një tjetër pistë që po ndjekin hetuesit është edhe prania e grupeve, ndonëse të vogla, kriminale serbe në Trieste, për shkak të lidhjes tokësore me Slloveninë fqinje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›