Krasniqi: Pa marsin e shqiptarëve s'do të kishte ndërhyrje të NATO's

Populli i Kosovës dhe luftëtarët e UÇK-së luftuan për të lënë prapa robërinë, vuajtjet, burgjet që e përcollën popullin tonë, u tha në 13-vjetorin e shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Dukagjinit dhe 12-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër caqeve serbe.
Nën përkujdesjen e Komunës së Deçanit, të enjten në Gllogjan u mbajt manifestimi madhështor në përkujtim të 13-vjetorit të Epopesë së lavdishme të UÇK-së në Dukagjin dhe 12-vjetorit të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s.
Në këtë manifestim morën pjesë përfaqësues të institucioneve, partive politike, shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, familjeve të dëshmorëve dhe mijëra qytetarë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se populli i Kosovës dhe luftëtarët e UÇK-së luftuan për të lënë prapa robërinë, vuajtjet, burgjet që e përcollën shumë kohë popullin tonë.
“Në dukje të parë këto dy ngjarje shumëkujt i duken si koincidencë, por në fakt marsi i 99-së i NATO-s nuk do të ndodhte pa marsin e 98-të shqiptarë”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shprehur besimin në pafajësinë e Ramush Haradinajt, i cili ndodhet në Hagë, duke thënë se UÇK-ja ka bërë luftë të pastër dhe jo krime lufte.
“Komandanti trim i Zonës operative të Dukagjinit, luftëtari i shquar Ramush Haradinaj po përballet për të dytën herë me drejtësinë ndërkombëtare, por ne jemi të bindur që si herën e parë edhe kësaj radhe do të dëshmohet pafajësia e saj, sepse as ai, as UÇK-ja nuk kanë bërë krime, por luftë të drejtë e të pastër çlirimtare”, ka thënë ai.
Nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala, ka shfrytëzuar këtë manifestim për të shprehur pakënaqësitë e tij ndaj ndërtimit të institucioneve të Kosovës.
“Qe 13 vjet më pas e shohim së bashku që serish jemi të kërcënuar, jo vetëm nga ata që gjithmonë kanë vepruar kundër nesh, por edhe nga vetvetja, nga të metat dhe gabimet tona. Në zgjedhjet e kaluara e dimë të gjithë që u dëmtua keq vota e qytetarit. Institucionet e Kosovës të dala prej tyre nuk shfaqin vullnetin e mirëfilltë të popullit të Kosovës”, ka thënë Shala.
Vëllai i Ramush Haradinajt, Daut Haradinaj ka falënderuar gjithë të pranishmit për pjesëmarrje në këtë manifestim.
“Edhe një herë i themi dëshmorëve lavdi dhe në të njëjtën kohë i sigurojmë se do të jemi në linjë të përhershme për vendin tonë”, ka thënë Haradinaj.
Me nga një fjalë rasti para të pranishmëve u paraqitën edhe kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, në emër të familjes Jashari, Rifat Jashari, Hysen Gervalla dhe në emër të shoqatave të dala nga lufta foli Shkumbin Demaliaj.
Gjatë ditës qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Gllogjan, ndërsa Kuvendi Komunal i Deçanit nderoi me çmimin “Qytetar nderi” dhe me dekoratën “Shkëlzen Haradinaj” mikun e madh të Kosovës ambasadorin e Norvegjisë në Prishtinë, Sverre Johan Kvale. /kosovapress/