E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqaj kërkon mbështetjen e Maqedonisë në CEFTA

Nga Express më 24 mars 2011 në ora 19:02

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka kërkuar përkrahjen e Maqedonisë në zgjidhjen e problemit që lidhet me respektimin e marrëveshjes së CEFTA-s, me të cilën ballafaqohet Kosova si pasojë e bllokadës që po i bëhet nga ana e Serbisë dhe Bonjës.

Kërkesa është shtruar në takimin bilateral që ministri Beqaj ka zhvilluar të enjten në Shkup me ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë, Fatmir Besimi, me të cilin ka diskutuar për identifikimin e fushave për bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve dhe implementimin e marrëveshjes së bashkëpunimit Kosovë - Maqedoni, të nënshkruar në vitin 2009.

Takimi i ministrit Beqaj është zhvilluar në kuadër të vizitës që presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli në Maqedoni, me ç’rast ishte organizuar edhe Forumi i Biznesit Kosovë-Maqedoni, në të cilin morën pjesë një numër i madh i përfaqësuesve të biznesit të të dyja vendeve.

Beqaj dhe Besimi kanë diskutuar për bashkëpunimin në fushën e energjisë, minierave dhe telekomunikacioneve, ndërsa kanë shtruar nevojën e avancimit të legjislacionit përkatës, me qëllim të krijimit të një mjedisi të favorshëm për investitorët e huaj.

Me këtë rast të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se duhet bëhen hapa konkretë në identifikimin e projekteve dhe barrierave tarifore me të cilat ballafaqohen bizneset e të dy vendeve me synimin lehtësimin e qarkullimit ekonomik.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›