E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Protesta nuk dështoi, ndërprerja zgjedhje e duhur

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi dhe zyrtarë nga partitë opozitare, LDK dhe AAK e kanë mirëpritur vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje për të ndërprerë protestën e djeshme dhe sugjeruan që zgjidhjet të kërkohen brenda institucioneve.
Ndërsa kanë vlerësuar si shumë të rëndësishëm faktin se kjo protestë ka përfunduar e qetë dhe pa ndonjë incident, ata i sugjeruan Qeverisë së Kosovës që të angazhohet në zbatimin e reciprocitetit.
 

Vlerësimet u dhanë të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku kryeparlamentari Krasniqi ka informuar se më 26 janar do të mbahet edhe seanca e radhës, ku do të procedohen disa ligje në lexim të parë.
I pyetur nga mediat lidhur me protestën e djeshme, Krasniqi tha se i vjen mirë që Vetëvendosje ka ndërprerë protestën dhe tani duhet të gjenden rrugë për zgjidhje institucionale.
 

“Jo. Nuk do ta quaja të dështuar. Mua më vjen mirë që ata kanë marrë vendim për ta ndërprerë. Por konsideroj që edhe mocioni që është votuar në seancën e kaluar e lë në obligim Qeverinë për të respektuar reciprocitetin. Kështu që konsideroj se vendimi për ta ndërprerë protestën dhe për t`iu kthyer punës në institucione e vlerësoj si një mendim dhe vendim shumë të arsyeshëm”, ka thënë Krasniqi.
 

Nga ana tjetër shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri nuk ka dhënë ndonjë vlerësim nëse ishte apo jo e drejtë protesta e Vetëvendosjes, por ka theksuar se zgjidhjet duhet të kërkohen brenda institucioneve.
Në këtë kontekst , Beqiri ka kujtuar ekzekutivin se ka për detyrë që marrëveshjet të cilat arrihen mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel të ratifikohen në Kuvend. Beqiri nuk ka dhënë një përgjigje të prerë nëse LDK do të përkrahë Vetëvendosjen, për të dërguar në Kushtetuese mocionin e fundit që u nxor në Kuvendin e Kosovës.
 

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se protestat e një partie politike mund të jenë mjet për ndryshuar pushtetin, por nuk janë alternativë në vetvete.
 

Në mbledhjen e sotme u vendosur që Kryesia e Kuvendit të mbajë mbledhjet e saj të hënave, për shkak të seancave të cilat duhet të organizohen të enjteve dhe të premteve.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›